Sondazh

Berisha bëri protestë me flamur gjerman. Por ndaj dhunës së saj reagon ashpër Gjermania:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Erxhan Osmani, “xhelati” i Greqisë/ Ylli tropojan më i miri i Turqisë në duelin në Eurobasket

schedule12:24 - 13 Shtator, 2025

schedule 12:24 - 13 Shtator, 2025

Kjo ishte dita e tij e madhe. Një tjetër shqiptar pati kontributin e jashtëzakonshëm për Turqinë, siç kanë bërë të tjerë në kohën e Perandorisë, dhe ky ishte një tropojan.

Erxhan Osmani, I lindur pikërisht në Bajram Curri, por I formuar fillimisht në Prizren të Kosovës, shkëlqeu në gjysmëfinalen e Kampionatit Europian të basketbollit, duke qenë njeriu kryesor që dërgoi Turqinë në finale.

Greqia u mund bindshëm 94-68, dhe Osmani ishte më I miri në parket.



Ai shënoi 28 pikë, kapi 6 topa në tabela, shërbeu 2 asistë, vodhi dy topa dhe bllokoi një gjuajtje.

Me 28 pikë, theu rekordin e Turqisë për ndeshjet me eliminim direkt në Europian. Forma e tij ishte e shkëlqyer, duke realizuar 6 nga 8 gjuajtjet për tri pikë, e duke barazuar rekordin e gjysmëfinaleve të Europianit.

Njëzeteshtatëvjeçari u shpall nga tifozët si lojtar më I mirë I gjysmëfinaleve, siç e tregon faqja zyrtare e FIBA-s.

Osmani foli thjesht pas fitores.

“Jemi shumë të lumtur që arritëm në finale. Falenderoj trajnerin që na përgatiti shumë mirë për këtë ndeshje. Më vjen mirë që dhashë kontributin tim për ekipin, por secili prej nesh e bëri. Falenderoj mjekët tanë që bënë gati në kohë Xhedi Osmanin, që ishte vendimtar. Unë jam shumë I lumtur”.

Trajneri Ergin Ataman pati lavdërime të mëdha për shqiptarin.

“Në lojën sulmuese ne shfrytëzuam shumë mirë basketbollistin tonë Erxhanin. Unë fola me të para ndeshjes, dhe I thashë se Janis Adetokumbo nuk del jashtë zonës, dhe se Greqia do të mbulonte fort Alperenin apo Larkinin, dhe Erxhani duhej të bënte gjuajtjet. Ai fitoi besim në vetvete, dhe na ndihmoi të krijonim hapësira dhe të arrinim këtë fitore të madhe. Gjithsesi, kjo nuk mjafton për ne. Ne jemi gati për të luftuar për titullin. Erxhani mbrojti shumë mirë ndaj Janisit, dhe u ndihmua nga Shengyn. Osmani bëri diferencën e madhe ndaj Janisit. Nuk e di nëse miku im Ismail Shenol I Anadolu Efesit është I shqetësuar tani sepse shumë skuadra nga NBA mund ta kërkojnë Osmanin, ndonëse unë mendoj se ai është shumë I lumtur në Efes. Ai u tregua shumë I aftë, shumë I zgjuar dhe shumë agresiv”.

Gazetat turke natyrisht që I bënë një jehonë të madhe, ndonëse u duk qartë që në kopertinë vendosën fotot e yjeve me origjinë turke si Alperen apo Xhedi Osman, dhe shumë më pak tropojanin.

Duke u kthyer tek ndeshja, Turqia pati kontribut të madh sidomos nga pesë lojtarët titullarë. Alperen Shengyn pati 15 pikë, 12 topa në tabela e 6 asistë, Xhedi Osman 17 pikë, Shejn Lajkin 14 pikë e 5 asistë dhe Hazer shtoi 7 pikë e 6 asistë. Në finalen që luhet të dielën është kualifikuar gjithashtu Gjermania, kampionia e botës në fuqi.

“Teutonët” mundën Finlandën 98-86, në një gjysmëfinale më të fortë, por duke e merituar suksesin.

Denis Shrëder ishte më I miri me 26 pikë e 12 asistë, ndërsa Franc Vagner pati 22 pikë.  / abcnews.al /

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!