Komiteti për Marrëdhëniet me Jashtë i Senatit Amerikan ka miratuar me 19 vota pro dhe 3 vota kundër emërimin e Eric Wendt si Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i SHBA-ve në Republikën e Shqipërisë.
Emërimi i Wendt u mbështet nga shumica e anëtarëve të komisionit, përfshirë senatorë nga të dyja partitë kryesore, në një votim që e çon kandidaturën një hap më afër konfirmimit final në Senat.
Sipas të dhënave të votimit, pro kandidaturës votuan 19 senatorë, ndërsa 3 senatorë votuan kundër. Pas këtij miratimi në komision, kandidatura pritet të kalojë për votim në seancë plenare të Senatit, ku do të vendoset përfundimisht konfirmimi i tij si ambasador i ri i SHBA-ve në Tiranë.
Konfirmimi final duket tashmë vetëm një çështje formaliteti dhe, nëse gjithçka shkon siç duhet, Eric Wendt do të marrë drejtimin e Ambasadës Amerikane në një periudhë me rëndësi të madhe për marrëdhëniet SHBA-Shqipëri, veçanërisht në fushat e sigurisë, investimeve dhe bashkëpunimit euroatlantik.
Eric Wendt konsiderohet një figurë me profil të lartë në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Ai ka mbajtur gradën gjeneral me tre yje dhe ka drejtuar forcat speciale amerikane dhe operacionet speciale të NATO-s në Europë. Përgjatë karrierës së tij ka bashkëpunuar edhe me strukturat shqiptare të sigurisë, si në kuadër të NATO-s, ashtu edhe gjatë operacioneve ndërkombëtare në Afganistan.
Në paraqitjen e tij në Senat, Wendt theksoi se prioritetet kryesore të mandatit të tij në Tiranë do të jenë lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, forcimi i partneritetit ushtarak mes dy vendeve, mbështetja për sigurinë kibernetike dhe krijimi i një klime më të favorshme për investimet amerikane në Shqipëri.


