Pas serialit të përsëritur për vulën, se kush e ka, në PD po rinis seriali i gjyqeve. Pas një beteje me akuza e protesta, mes Berishës dhe Bashës, Berisha arriti të mbaj vetëm selinë që e mori me dhunë, ndërsa me gjyq vula i ngeli grupit Basha.
Ky grup që u nda në dysh, pas rikthimit të Bashës, po përsërit atë që ndodhi me parë, pikë për pikë, tashmë për të penguar Bashën të bëhet sërish kryetar i PD-së.
Gazment Bardhi nuk humb kohë, dhe pak orë pas mbledhjes së Këshillit Kombëtar të enjten në mbrëmje, dhe pak orë para se Basha të ribëhet kryetar, grupi i tij dorëzoi zyrtarisht kërkesën tek Gjykata e Tiranës, për t’ia hequr emrin ish-kreut të tyre, nga regjistri i partive politike.
“Askush nuk ka të drejtë që të privatizojë Partinë duke e kthyer atë në një parti private. Anëtarët e PD kanë vetëm një synim se si të forcojmë PD. Kemi dorëzuar një dosje me të gjitha vendimet që kemi marrë në Këshillin Kombëtar”
Një tjetër vendim është anulimi i zgjedhjeve të së shtunës, nga Këshilli Kombëtar i Bardhit. Por që grupi pro Bashë, nuk e ka ndërmend ta zbatojë dhe këtë premte shpërndau detaje të votimit që do të bëhet këtë të shtunë.
Sali Berisha nuk pati një thirrje të veçantë, për ata 25 mijë anëtarë demokratë, që janë thirrur për të votuar, pro shprehu besim se do të refuzojnë të shkojnë tek kutitë e votmit.
“Jam i bindur se demokratët nuk do i lejojnë vetes të implikohen apo të mbështesin një skenar që me të vërtetë përbën skenarin më të turpshëm në historinë 32-vjeçare të pluralizmit politik”
Basha ka dosje krimi, tha Berisha, dhe është peng i tyre.


