Elbasan, bie zjarr në parkun e Krastës, zjarrfikësit në vendngjarje

schedule14:27 - 16 Shtator, 2019

schedule 14:27 - 16 Shtator, 2019

Një zjarr i fuqishëm ra në Parkun Kombëtar të Krastës në Elbasan. Për shuarjen e tij u angazhuan jo vetëm zjarrfikëset e Elbasanit, por edhe ato të qyteteve fqinje.

Pylli me pisha në Krastë të Elbasanit shpërtheu në flakë.

Vatra  u pa mesditën e kësaj të hëne në majën e kodrës.

Për pak minuta zjarri u përhap me shpejtësi, ndihmuar nga thatësira dhe era.

Në vendin e ngjarjes shkuan punonjës të repartit zjarrfikës, emergjencat civile në bashki dhe ato  të shërbimit pyjor.

Zjarrfikëset e patën  të pamundur të depërtonin deri në vatër për shkak të terrenit të thyer. Ndaj për të fikur flakët u punua me mjete rrethanore, kazma, lopata dhe pompa dore.

Në ndihmë të repartit zjarrfikës në Elbasan ishin  edhe zjarrfikëse të qyteteve fqinje. Kjo vatër konsiderohet e rrezikshme, jo vetëm për faktin se po dëmton kurorën e gjelbër, por edhe pse aty pranë ndodhen depot e ujit që furnizojnë gjysmën e qytetit të Elbasanit.

Kurse  në disa gropa dhe tunele mendohet se ka edhe municione të hedhura gjatë vitit 1997 të cilat përbëjnë rrezik shpërthimi.

Krasta konsiderohet mushkëria e qytetit të Elbasanit. Por gjatë viteve të fundit fatkeqësisht është goditur nga disa zjarre.  Më i madhi ishte ai i gushtit të vitit 2017 kur pothuaj e gjithë kurora u përfshi nga flakët duke shkaktuar dëme të pariparueshme./ABC News Albania 24/7