Ekubani i radhës vjen tek Apolonia, Starova: I dhuroi 80 mijë euro Partizanit!

schedule09:14 - 7 Korrik, 2020

schedule 09:14 - 7 Korrik, 2020

Apolonia është rikthyer në Superiore dhe presidenti Koço Kokëdhima foli gjatë rreth projektit të klubit fierak në emisionin “Pressing” në ABC News. Merkato është një nga temat më interesante dhe Gerti Çarçani zbuloi një mesazh të menaxherit Elton Marini.

Ekubani i radhës do të vijë tek Apolonia, dhuratë nga unë, më shkruan Marini“, u shpreh moderatori i “Pressing”, duke iu referuar Caleb Ekuban, një prej lojtarëve të huaj më të mirë që ka luajtur në futbollin shqiptar.

Sulmuesi ishte pjesë e Partizanit në sezonin 2016/2017. Ganezi erdhi në huazim nga Chievo, shënoi 18 gola (17 në kampionat dhe 1 në Kupën e Shqipërisë) dhe i mahniti të gjithë me cilësitë e tij. “Marini është një menaxher, të cilin ne e respektojmë dhe e duam. E kemi pasur lojtarin tonë, është një djalë me shumë integritet, një intelektual dhe qytetar i mirë.

Kemi bashkëpunim me Marinin dhe nuk është çudi që ne të konkretizojmë bashkëpunimin tonë, jo me një por me dy lojtarë për sezonin e ardhshëm“, deklaroi Kokëdhima, duke dhënë një lajm të mirë për tifozët e Apolonisë.

Rikthehemi tek Ekuban, i cili sot po shkëlqen me Trabzonspor në elitën e futbollit turk dhe është në garë për fitimin e titullit kampion. Sulejman Starova, pjesë e ekipit të “Pressing”, ishte trajneri i Partizanit në sezonin 2016/2017 dhe zbulon një kuriozitet interesant në lidhje me bomberin afrikan, një idhull për tifozerinë e kuqe.

Me meritën e një fieraku ka ardhur Ekuban në Shqipëri, Elton Marinit. Është në edukatën dhe kulturën e klubit. Marini sjell lojtar, që nëse luan 70% të ndeshjeve dhe bën një numër të caktuar golash, klubi shpërblehet me para nga ai klub që e sjell në huazim te Koço (Kokëdhima).

Ekubani i riktheu Partizanit 80 mijë euro, i pagoi Chievo! Ishte pak për ne, objektivi jonë atë kohë ishte ta blinim atë lojtar, që ta shisnim po ne. Flas kur isha te Partizani. Kjo është meritë e Marinit dhe komplimente që vazhdoni bashkëpunimin me të“, deklaroi Starova. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!