Ekspertja e ISHP: Vaksina jep imunitet 7 ditë pas dozës së dytë

schedule15:52 - 12 Janar, 2021

schedule 15:52 - 12 Janar, 2021

Nga Ajgena Korbi

Një dozë vaksine kundër Covid-19 është e pamjaftueshme për të krijuar imunitet ndaj sëmundjes.

Specialistja e Institutit të Shëndetit Publik Iria Preza tregon se pas 21 ditësh personat e vaksinuar duhet të marrin dozën e dytë të vaksinës. Ajo duhet të jetë e të njëjtës kompani prodhuese si e para.

“Vihet pas 21 ditësh për të marrë dozën e dytë. Nëse vaksinohemi me Phfizer edhe e dyta do të bëhet me të, jo të marrim tjetër”, thotë ajo.

Mund të duhen shtatë ditë nga marrja e dozës së dytë të vaksinës që një person të jetë i mbrojtur ndaj virusit.  Arsye kjo që specialistët e shëndetësisë apelojnë për respektimin e masave për frenimin e përhapjes së koronavirusit edhe pas vaksinimit.

“Dy javët e para fillon trupi të krijojë anti-trupa, por duhet doza e dytë që të plotësohet procesi i vaksinimit”, thekson ajo.

Vaksina e Phfizer dhe Biontech vlerësohet të jetë efikase rreth 95%. Tek personat me probleme të imunitetit mbrojtja mund te jetë më e ulët. /abcnews.al