Një fund de facto i luftës në Ukrainë po afrohet, vlerësojnë ekspertë dhe zyrtarë ushtarakë perëndimorë të cituar nga Deutsche Welle në margjinat e Forumit të Sigurisë në Kiev, zhvilluar në fund të prillit.
Sipas tyre, zhvillimet në front dhe zgjedhjet e mesit të mandatit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të ndikojnë drejtpërdrejt në rrjedhën e konfliktit.
Për shkak të stagnimit në vijën e frontit, prej javësh janë shtuar spekulimet se presidenti rus Vladimir Putin mund të ndërmarrë një mobilizim të ri ushtarak, si ai i vitit 2022.
Megjithatë, Evelyn Farkas, drejtuese e Institutit McCain në Universitetin Shtetëror të Arizonës, nuk beson në një mobilizim masiv, duke argumentuar se ekonomia ruse po përballet me vështirësi të mëdha që do ta pengonin Kremlinin të ndërmarrë një hap të tillë.
Ndërkohë, ish-përfaqësuesi special i SHBA-së për Ukrainën, Kurt Volker, deklaroi se pozicioni i Kievit është më i fortë se kurrë më parë. Sipas tij, Ukraina ka ulur ndjeshëm varësinë nga armët perëndimore dhe tashmë mbulon 60-70% të nevojave të saj ushtarake pa ndihmë të huaj.
Volker vlerëson se Ukraina mund të vazhdojë luftën edhe në rast se SHBA ndalon furnizimet me armë, duke u mbështetur te ndihma evropiane dhe prodhimi i brendshëm ushtarak.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky paralajmëroi së fundmi për një rritje të presionit nga administrata e presidentit amerikan Donald Trump deri në vjeshtë.
Sipas Zelenskyt, Trump kërkon që Ukraina të pranojë kushtet ruse për armëpushim, përfshirë tërheqjen e trupave ukrainase nga pjesët e Donbasit të kontrolluara nga Kievi.
Megjithatë, Evelyn Farkas shprehet e bindur se Ukraina do t’i rezistojë këtij presioni politik dhe diplomatik.
Në të njëjtën kohë, kryetari i Komitetit Ushtarak të NATO-s, Giuseppe Cavo Dragone, deklaroi se lufta është e vështirë të përfundojë në fushën e betejës, pasi ushtria ruse mbetet ende e fortë pavarësisht humbjeve të mëdha.
Sipas ekspertëve, ekonomia ruse dhe kostot e larta të luftës mund të jenë faktorët që do ta shtyjnë Moskën drejt një marrëveshjeje paqeje. Kurt Volker parashikon se një pikë kthese mund të vijë brenda këtij viti, ndërsa Evelyn Farkas beson se viti 2027 mund të jetë momenti kur Ukraina do të dalë fituese nga konflikti.
/abcnews.al/


