EKSKLUZIVE/ Sali Berisha përjashtohet përfundimisht nga PD. E ndjek i gjithë Komisioni i Rithemelimit. Kush ikën dhe kush mbetet i “zhveshur” në PD

schedule07:26 - 11 Janar, 2022

schedule 07:26 - 11 Janar, 2022

Sali Berisha është përjashtuar përgjithmonë nga Partia Demokratike. Lajmin e bën të ditur gazetari Juxhin Mustafaraj nga burime brenda Selisë Blu. Vendimi u mor gjatë mbledhjes së Kryesisë së PD-së, një mbledhje që nisi pasditen e së hënës në orën 19.00 dhe përfundoi rreth orës 03.30 të mëngjesit.

Përpos ish-liderit Sali Berisha, në mbledhjen Kryesisë së Partisë Demokratike u vendos që të përjashtohen nga partia edhe tetë anëtarë të Komisionit të Rithemelimit. Anëtarët e përjashtuar janë, Flamur Noka, Albana Vokshi, Edmond Spaho, Arben Ristani, Klevis Balliu, Keltis Kruja, Bujar Nishani dhe Edmond Spaho.

Lexo edhe: Shkarkohen Berisha dhe mbështetësit e tij në PD, Basha i kërkon falje demokratëve. Rezultati i Referendumit shpallet “nul”

Kryesia e PD vendosi po ashtu edhe për shkarkimin si drejtues politikë në kryeqytet të Belind Këlliçit, Albana Vokshit, Aldo Bumçit, Agron Shehajt, Flamur Nokës, Tritan Sheut në Gjirokastër, Bujar Leskajt-Vlorë, Edmond Spahos-Korçë dhe Edi Palokës në Durrës.

Ndryshe nga lista e parë, me Berishën në krye, këta të fundit mbeten në PD, por pa funksionet e mëparshme.

Vendimet “radikale” në PD u morën pas protestës së 8 Janarit ku nuk munguan përplasjet mes mbështetësve të PD-së zyrtare dhe atyre të ish-kryeministrit Sali Berisha. Gjatë diskutimeve të djeshme, kryedemokrati u kërkoi anëtarëve të Kryesisë së PD-së që asgjë të mos dilte në media.

Lexo edhe: Referendumi, Berisha: Përulem para 44,000 demokratëve që sot vendosën largimin e Bashës

Në qëndrimin zyrtar të bërë publik mëngjesin e së martës, PD sqaron se vendimet u morën pasi kanë kaluar 48 orë nga 8 janari dhe nuk është bërë asnjë akt distancimi nga “dhuna e paprecedentë” që sipas asaj që thuhet në deklaratë “u urdhërua, organizua dhe u nxit nga disa anëtarë të partisë, ndaj partisë së tyre dhe anëtarëve të Partisë Demokratike.”

Tashmë pritet që shumë shpejt në ditët në vijim të mblidhet Këshilli Kombëtar për të vulosur vendimet e marra më 10 janar.

Lexo edhe: Protesta e dhunshme në selinë e PD-së, arrestohen 34 persona, procedohen 18 të tjerë

Kujtojmë se “ndarja” në PD nisi më 9 shtator kur lideri i të djathtëve njoftoi se kishte përjashtuar Sali Berishën grupi parlamentar i PD-së, pasi ky i fundit u shpall “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

9 janarin e pasuan “Foltoret” e organizuara nga ish-kryeministri thuajse në të gjithë vendin gjatë të cilave u mblodhën edhe firmat për thirrjen e Kuvendit Kombëtar më 11 dhjetor.

Në këtë Kuvend u morën një sërë vendimesh mes të cilave edhe shkarkimi i kryedemokratit Lulzim Basha. Vendim ky që u votua në Referendumin e 18 Dhjetorit nga 43,385 anëtarë, në të njëjtën ditë kur PD-ja zyrtare mbante Kuvendin Kombëtar në Pallatin e Kongreseve.

Të gjitha këto ngjarje që kanë pasuar njëra-tjetrën në muajt e fundit sollën sot përjashtimin e Sali Berishës, i cili e ka bërë disa herë të qartë se ai që po drejton është një revolucion paqësor dhe se protestat do të vijojnë. sb/abcnews.al/