Ministrja e Ekonomisë Delina Ibrahimaj e cilësoi ekonominë shqiptare të qëndrueshme dhe me ecuri më të mirë krahasuar me vendet e rajonit. Rritja me 3.71% sipas Ibrahamiaj është një tregues që ekonomia shqiptare është në gjendje tu bëj ballë krizave të ndryshme gjeopolitike.
Ndërsa një element shumë optimist cilësoi edhe vijimin e uljes së borxhit publik që arriti në 48.8%. Ministrja theksoi se në shtator do të ketë detaje në lidhje me rishikimin e skemës së pensioneve. E pyetur lidhur me indeksimin e pensioneve, ministrja tha se në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave është miratuar indeksimi i pensioneve, i cili, sipas saj, nuk do të kryhet më në tetor, por në korrik.
Ajo bëri të ditur se norma e rritjes së çmimeve për shportën e pensionistëve ka rezultuar 2,7%.
“Ne kemi treguar se gjatë përballimit të krizave kemi pasur një vëmendje të shtuar ndaj grupeve të popullsisë që nuk mund t’i përballojnë rritjet e çmimeve”, u shpreh Ibrahimaj.
Ministrja theksoi se inflacioni aktual ndodhet në nivelin rreth 3%, brenda objektivit të Bankës së Shqipërisë, duke shtuar se nuk konsiderohet një situatë problematike për ekonominë.
Megjithatë, ajo nënvizoi se në çdo moment kur treguesit ekonomikë do të tregojnë rritje të çmimeve përtej nivelit të përballueshëm për pensionistët dhe shtresat në nevojë, qeveria do të marrë masat e nevojshme për mbështetjen e tyre.
Ibrahimaj shtoi se synimi i qeverisë është që rritja ekonomike të prekë të gjitha kategoritë dhe që rishpërndarja e të ardhurave dhe përfitimeve të saj të shkojë veçanërisht për pensionistët, përmes politikave të ndërmarra për rritjen e të ardhurave të tyre.



