Mund të jesh idhull i tifozëve, por gjithëkujt i kërkohet suksesi. Skënder Gega, një nga legjendat e historisë së Partizanit kishte në lojë jo pak nga reputacioni i tij, ndërsa Partizani luante finalen kundër Elbasanit, për të siguruar vend në katërshen që do të luftojë për titull, e për të shkuar në Europë.
Për fat dhe për meritë, të kuqtë ia dolën 2-0, dhe Gega tregon për ABC News sesi e përjetoi ndeshjen.
“Sic është një javë, nuk është një javë tjetër, kemi patur edhe ne dilemat. Jemi munduar për të qenë të hapur, me fol me ballafaqu nga ndeshja në ndeshje, nga gabimet. Jam i lumtur dhe i kënaqur që sot Partizani ka ardh deri këtu, lojëtarët e kanë sjellë deri këtu. Unë bëra pjesën time.”
Partizani ka marrë kritika të mëdha, por mundësitë teorikisht janë edhe për titullin.
“Ka qenë një lodhje shumë më tepër se kundërshtarët se ishim edhe në Kupë, por deri atëherë do mundohemi të rikuperohemi e të korrigjohemi edhe pse kam jetuar me të për qenë pranë ekipit. I kemi mundësitë të bëjmë mirë, por nuk mund të them dot se ku do shkojmë. Hyrja në final four ishte shumë e rëndësishme, na jep qetësi por edhe besim”
Si janë planet në vazhdim të Gegës në klubin e tij të zemrës?
“Zyrtarisht kam dy vjet, të mendojmë një nga një, hap pas hapi, shumë gjëra mund të ndodhin, kontrata ime është edhe shpirtërore, por edhe kemi caktuar një afat. Jemi dy vjet, nëse gjërat shkojnë mirë, uroj pse jo sa më gjatë”
Në 2019, u largua pasi u shpall kampion, ndoshta tani dëshiron të nisë një cikël suksesi.
“Duhet me besu dhe mos me u kthy pas edhe vendimi në 2019, ka qenë një vendim i imi shumë i shpejtë mbase mund të isha edhe më I qetë. Por gjithësesi unë jam kthyer në shtëpi edhe kam patur gjithmonë derën hapur. Erdhi momenti, u kërkua dhe unë e pranova”/abcnews.al