Basha rikthen në Partinë Demokratike Eduard Halimin

schedule13:34 - 7 Mars, 2021

schedule 13:34 - 7 Mars, 2021

Eduard Halimi, është emëruar Koordinator i Posaçëm Politik në Partinë Demokratike.

Halimi ka konfirmuar për ABC se do të koordinojë punën e drejtuesve politikë në 12 qarqe të vendit.

“Do të koordinoj punën e drejtuesve politikë në 12 qarqe të vendit. Nuk kam ambicie për deputet, por do të jap kontributin tim në këtë pozicion”, ka thënë Halimi.

Ai ka reaguar edhe me një status në rrjetin social “Facebook” ku edhe shprehet se në momentin që thirresh për të shërbyer askush nuk ka të drejtë të mos pranojë t’i shërbejë familjes politike.

Statusi:

“Unë e pranova kërkesën e Lulzim Bashës për tu caktuar si “Koordinator i posaçëm politik i kryetarit të PDSH për 12 qarqet, në zgjedhjet e vitit 2021” Kurrë nuk do hezitoja të ndihmoja mikun tim Lulzim Basha, ashtu si kurrë nuk kam hezituar të ndihmoj dhe si anëtar i thjeshtë familjen tonë politike, gjatë gjithë jetës sime. Kur thirresh për të shërbyer, askush nuk ka të drejtë të mos pranojë ti shërbejë familjes politike.

Të shërbesh, për çdo anëtar të së djathtës politike, është detyrë, dhe nuk duhet lidhur kurrsesi me të qenit deputet. Unë nuk do jem deputet, por do ti shërbej familjes politike. Është koha të bashkohemi për ti shërbyer familjes sonë politike në këtë betejë”, përfundon Halimi.

Kujtojmë se ish-ministri ka deklaruar më herët se nuk do të angazhohej me politikë.

/abcnews.al/