E enjtja e përgjakur në rrugët e Shqipërisë, 3 viktima në 3 aksidente tragjike

schedule09:54 - 19 Maj, 2022

schedule 09:54 - 19 Maj, 2022

Rrugët e vendit janë përgjakur këtë të enjte nga tre aksidente tragjike, ku si pasojë tre persona humbën jetën ndërsa 4 të tjerë mbetën të plagosur.

Rreth orës 04:30 të mëngjesit, 56-vjeçarja Prena Gjetani po udhëtonte bashkë me vajzën e saj dhe dy nipërit në drejtim të Rinasit, ku taksia që kishin marrë doli nga rruga. Si pasojë 56-vjeçarja humbi jetën ndërsa e plagosur mbeti vajza e saj A.Gj. 30 vjeçe bashkë me  2 fëmijët, që ndodhen në spital nën kujdes mjekësor.

Po ashtu mëngjesi kësaj të enjte rezultoi fatal edhe për 25-vjeçarin Andi Rrustaj i cili bashkë me shokun e tij Xheku Logu po udhëtonin në drejtim të Kukësit. Makina e tyre doli nga rruga dhe përfundoi 100 metra poshtë në humnerë.  Nga Zjarrfikësit është bërë e mundur nxjerrja e trupit të pajetë të Andi Rrustaj ndërsa Xheku Logu, është dërguar në spitalin e Traumës, në gjendje të rëndë shëndetësore.

Një tjetër aksident me pasojë vdekjen ndodhi në fshatin Boçovë të Fierit. Eduart Metushi, 43 vjeç, ishte duke punuar me zetor në tokat e fshatit Boçovë dhe ka humbur kontrollin e për pasojë zetori është përmbysur. Nga ky aksident 43-vjeçari gjeti vdekjen e menjëhereshme.

/abcnews.al/