Kryeministri Edi Rama, gjatë podcastit të tij të përjavshëm “Flasim”, foli për miratimin e aktit normativ të buxhetit 2026, duke e cilësuar si një paketë të mundësuar nga rritja e të ardhurave ekonomike përtej parashikimeve.
Sipas tij, paketa përfshin një sërë masash sociale, përfshirë bonus për pensionistët, rritje të mbështetjes për personat me aftësi të kufizuara dhe fëmijët me nevoja të veçanta, si dhe 15 milionë euro shtesë për medikamentet e pacientëve onkologjikë.
Rama deklaroi gjithashtu se do të ketë rritje të pagave për mjekët e urgjencës dhe zgjerim të garancisë sovrane për programet e zhvillimit ekonomik.
Ai theksoi se bonuset për pensionistët vijnë nga të ardhurat shtesë të ekonomisë, përfshirë edhe efektet e çmimeve të energjisë, të cilat sipas tij janë rishpërndarë në favor të shtresave në nevojë.
Në fjalën e tij, Kryeministri komentoi edhe protestat e opozitës, duke i ndarë pjesëmarrësit në dy grupe: qytetarë me shqetësime reale dhe, siç u shpreh ai, aktorë politikë që nxisin tensione.
“Qeveria ka dyfishuar fondin për programin e startup-eve, duke e çuar nga 3 në 6 milionë euro mbështetjen për vitin 2026”, bëri të ditur kryeministri Rama gjatë podcastit “Flasim”.
Sipas tij, vendimi vjen si përgjigje ndaj rritjes së ndjeshme të aplikimeve në programin “Startup Albania”, i cili nga më pak se 100 aplikime në nisje ka arritur në mbi 1200 këtë vit.
Rama tha se nëse trendi i aplikimeve vazhdon, edhe mbështetja financiare do të rritet më tej, duke synuar nxitjen e inovacionit dhe përfshirjen e të rinjve në ekonomi.
Ai theksoi se programi lidhet ngushtë me modernizimin dhe transformimin ekonomik të vendit.
Pjesë nga fjala e Ramës;
Kryeshënimi i javës ishte, pa diskutim, akti normativ i qershorit, ku edhe një herë tjetër ekonomia, e cila po rritet përtej parashikimeve, duke sjellë të ardhura përtej parashikimeve, na dha mundësinë që të dalim me një sërë masash në shërbim të drejtpërdrejtë të njerëzve dhe në respekt të të gjithë atyre që kërkojnë, me shumë të drejtë, akoma më shumë nga qeveria dhe nga shoqëria, përmes qeverisë.
Aprovuam një bonus për pensionistët. Një kujtesë këtu, sepse duhet kujtuar herë pas here ndonjë gjë, edhe pse kujtesa bëhet gjithmonë e më e shkurtër dhe gjithmonë e më shumë janë ata që nuk duan t’ia dinë se nga po vijnë. Por e thotë bukur Çurçilli që “kush harron se nga po vjen, nuk ka idenë se ku po shkon”.
Kujtesa është që vjet u tha se bonusi i pranverës për pensionistët, i cili kishte të njëjtën logjikë, pra rritjen e ekonomisë dhe parimin që, në momentin kur ekonomia rritet dhe ne arrijmë t’i plotësojmë ato që kemi parashikuar e na mbetet diçka, ajo që mbetet duhet të ndahet me ata që kanë më shumë nevojë dhe pensionistët janë në radhë të parë ata. “E bënin për fushatë”, thanë. Jo. Ne nuk kemi asnjë fushatë. Fushatën tjetër e kemi në 2029-ën. Kështu që pensionistët morën një tjetër bonus, ku u fut edhe çdo qindarkë e përfituar nga rritja e panatyrshme e çmimit të naftës, si rezultat i krizës së luftës mes Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe Iranit dhe asaj që ndodhi në Ngushticën e Hormuzit.
Pra, ne nuk futëm në buxhet asnjë qindarkë që erdhi më shumë nga taksat mbi naftën, por ua dhamë ato pensionistëve. Po kështu, ne vendosëm në dispozicion të të sëmurëve me kancer 15 milionë euro të tjera për medikamentet e tyre dhe vendosëm po ashtu rritjen e pagave të mjekëve të urgjencës. Heronj të vërtetë!
Vendosëm rritjen e garancisë sovrane për programin kombëtar që fillon së shpejti, të dyfishimit të ndërmarrjeve.
Vendosëm dyfishimin e mbështetjes për personat me aftësi të kufizuar.
Vendosëm dyfishimin e mbështetjes për fëmijët me aftësi të veçanta. Kujtoj se vjet, falë edhe një gafe që unë bëra, për të cilën kërkova ndjesë, u bë problem çështja e fëmijëve autikë. Unë u zotova në atë fushatë se do ta dyfishonim mbështetjen për ta dhe e bëmë. Ashtu sikundër u dhamë edhe kujdestarëve të personave me aftësi të kufizuar apo të fëmijëve me aftësi të veçanta një mbështetje që ata e kërkonin prej kohësh, pa llogaritur këtu pastaj edhe pjesët e tjera që shkuan në drejtim të zhvillimit rural dhe të zhvillimit urban.
Ky është një kryeshënim që nuk zuri shumë vend, sepse dihet se me çfarë po merret i gjithë sistemi i komunikimit dhe informacionit në Shqipëri. Ndërkohë që, nga ana tjetër, unë jam shumë i vëmendshëm dhe një ekip i tërë po dëgjon me shumë vëmendje gjithçka që duhet dëgjuar nga protesta e bulevardit, e cila ka dy shtresa: “ujin e rrjedhshëm” të të gjithë atyre që dolën sinqerisht dhe që janë sinqerisht të shqetësuar apo që kanë halle reale dhe “koren e zezë” të gjithë dështakë-zemërakëve të ardhur nga të gjitha rrugët e jetës, që kanë krijuar një situatë konvulsive ku janë shfaqur edhe elementët e pashmangshëm të dhunës në këto raste, pasi kur shkon pas Berihait, në fund të del përpara muri.
-Dyfishimi i Grantit 2026 për startup-et
Në shënimin e fundit do të prek dy momente që duket sikur nuk kanë lidhje me njëri-tjetrin, por në fakt janë të lidhur dhe i lidh pikërisht modernizimi, transformimi dhe rinia.
Kemi dyfishuar programin e startup-eve. Financimi, nga 3 milionë euro të parashikuara, ka shkuar në 6 milionë euro mbështetje, pasi jemi gjendur përpara një rritjeje befasuese të numrit të aplikimeve në programin “Startup Albania”. E kemi nisur atë program me më pak se 100 aplikime dhe këtë vit jemi gjendur me më shumë se 1200 aplikime. Kjo na ka vendosur në pozicionin e detyruar që t’u përgjigjemi të rejave dhe të rinjve me një dyfishim të volumit të financimit dhe, ndërkohë, kemi komunikuar me ta dhe u kemi thënë se, në rast se aplikimet do të vazhdojnë të rriten me këtë trend, edhe mbështetja po ashtu do të vazhdojë të rritet sipas këtij trendi.



