Dy ditë nga zgjedhjet, kontrolle të shtuara në Kakavijë: Të mos përfitojnë elementë kriminalë

schedule12:14 - 22 Prill, 2021

schedule 12:14 - 22 Prill, 2021

Eduart Merkaj, drejtori i Departamentit të Kufirit dhe Migracionit ka inspektuar mëngjesin e sotëm masat në Pikën Kufitare të Kakavijës. Kontrolli bëhet në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit.

Merkaj u shpreh për mediat se qëllim i ardhjes në Kakavijë ishte shtimi i masave të policisë kufitare në kufi për të mos përfituar, siç tha ai, elementë me rekorde kriminale që të ndërmarrin veprime antiligjore.

“Do të shtohen kontrolle në pikën e hyrjes dhe zbatimi i masave në kufirin e gjelbër që shihet si me risk nga policia kufitare pasi elementë kriminale mund të kryejnë vepra penale në kufi.”

Policia, sipas Merkajt qëndron në gatishmëri të plotë ndërkohë që policët në qendrat e votimit do të shoqërojnë vetëm materialet zgjedhore. Për sa i përket rregullave te pandemisë, ai u shpreh se vendimet janë bërë publike në media.

“Disa persona në kërkim mund të shfrytëzojnë pikën kufitare dhe shfrytëzojnë pikën kufitare dhe kufirin e gjelbër për t’u larguar. Persona të ndryshëm mund të mendojnë se policia do të jete neglizhente gjatë zgjedhjeve dhe përfitojnë nga kjo situatë,” është shprehur ai. /abcnews.al/