Drama në Mariupol, ukrainasit e plagosur iu dorëzuan rusëve: Prapaskenat, çfarë ndodh tani me ta?

schedule04:46 - 18 Maj, 2022

schedule 04:46 - 18 Maj, 2022

Evakuimi i luftëtarëve ukrainas nga bastioni i tyre i fundit në Mariupol ka të ngjarë të shënojë fundin e betejës së madhe që zgjati disa muaj për qytetin.

Mbrojtja e trupave të fabrikës së çelikut Azovstal me shumë pak ushqim dhe ujë, dhe nën bombardimet intensive ruse, u bë një simbol i rezistencës ukrainase. Qindra thuhej se kishin nevojë urgjente për ndihmë mjekësore, ndërsa bota pa fotografitë që tregonin burra me krahë të thyer dhe gjymtyrë të prera. Të afërmit e tyre bënë lutje të dëshpëruara për një marrëveshje për t’i shpëtuar.

Zëvendësministrja e Mbrojtjes e Ukrainës, Hanna Maliar, tha se 53 luftëtarë të plagosur ishin dërguar në një spital në qytetin e kontrolluar nga Rusia, Novoazovsk, ndërsa 211 persona të tjerë ishin transportuar në Olenivka, një qytet i kontrolluar nga separatistët e mbështetur nga Rusia. Të gjithë të evakuuarit, tha ajo, do t’i nënshtroheshin një “procedure shkëmbimi”.

Spekulimet janë se luftëtarët e evakuuar do të shkëmbehen me robër lufte rusë, por kjo nuk është konfirmuar zyrtarisht. Qindra luftëtarë besohet të mbeten në uzinë dhe gjithashtu nuk është e qartë se kur dhe si do të evakuohen apo nëse do të vijojnë të luftojnë, raporton abcnews.al.

Sa i përket Mariupolit, shumica e tij tani është kthyer në gërmadhë. Zyrtarët lokalë thonë se dhjetëra mijëra janë vrarë, me shumë prej trupave të tyre ende nën rrënojat e ndërtesave të shkatërruara.

Ende shumë të panjohura mbi Mariupolin

Nuk dihet ende nëse zhvillimet e 24 orëve të fundit tregojnë fundin e rrethimit në Mariupol.

Dhjetëra luftëtarë ukrainas të plagosur u dërguan në zonat e kontrolluara nga rusët për të marrë shërbime spitalore. Por, jo të gjitha ata që gjendeshin aty janë të plagosur.

Më shumë se 200 burra të tjerë u dërguan në një qytet aty pranë të kontrolluar nga Rusia. I gjithë procesi nga negociatat në evakuim u zhvillua në fshehtësi, pa asnjë fjalë deri sa rusët bënë një njoftim dje.

Duket se, edhe një herë, OKB-ja dhe Kryqi i Kuq ishin të përfshirë, ndoshta duke shpjeguar pse ukrainasit pranuan të dërgoheshin në territorin rus.

Duke i qendruar fjalimit të tij, Presidenti Zelensky tha se kishte një prioritet – shpëtimin e jetëve të trupave ukrainase.

“Ukraina ka nevojë për heronjtë e saj ukrainas të gjallë”, tha ai.

Ka ende shumë të panjohura – më së shumti se sa luftëtarë kanë mbetur në uzinë dhe çfarë do të ndodhë me ta.

Të dyja palët padyshim që do të përpiqen ta shesin këtë si një fitore: Rusia, sepse më në fund do të marrë kontrollin e këtij qyteti port strategjik, dhe Ukraina, sepse disa nga ushtarët që qëndruan për kaq shumë kohë, dolën të gjallë.

Heronjtë e kohërave tona

Ushtria e Ukrainës lavdëroi mbrojtësit e Mariupolit duke i cilësuar si “heronjtë e kohërave tona”.

Qindra luftëtarë ishin ngujuar në tunelet poshtë fabrikës masive industriale, duke mbrojtur fortesën e fundit ukrainase në qytet.

Qyteti port i vendosur strategjikisht ishte nën bombardime masive nga forcat ruse që nga fillimi i pushtimit.

Marrja e qytetit do t’i kishte lejuar Rusisë të lidhnin rajonin e Krimesë, i cili ishte aneksuar nga Rusia, dhe rajonin e Donbasit, i cili udhëhiqet nga separatistët pro-rusë.

Qëndrimi i fundit në Azovstal në Mariupol i dha Ukrainës “mundësinë për të përgatitur dhe krijuar kufijtë mbrojtës në të cilët trupat tona janë ende të pranishme sot dhe t’i japin një kundërpërgjigje të denjë agresorit”, tha Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës në një përditësim në Facebook.

“Ne morëm kohën e nevojshme kritike për të ndërtuar rezerva, për të rigrupuar forcat dhe për të marrë ndihmë nga partnerët.” /abcnews.al