Doktoresha flet për infeksionet gjinekologjike te gratë: Është mirë të kuroheni përpara pushimeve

schedule10:25 - 3 Qershor, 2021

schedule 10:25 - 3 Qershor, 2021

Gjinekologia e Spitalit Hygeia, doktoresha Kristina Kosta ka folur ditën e sotme lidhur me infeksionet gjinekologjike te gratë.

E ftuar në “ABC e Mëngjesit”, ajo ka thënë se këto infeksione mund të shfaqen tek të gjitha moshat.

“Infeksionet gjinekologjike ose vaginale janë arsyeja më e shpeshtë që drejtojnë një grua, një femër te mjeku gjinekolog. Janë infeksione të pjesës së poshtme të traktit riprodhues, kryesisht infeksione të vaginës dhe të vulvës. Këto drejtojnë te gjinekologu gratë e të gjitha moshave dhe vajzat e vogla në moshën e pubertitetin, femrat gjatë fazës riprodhuese, gratë shtatzëna, gratë në menopauzë. Të gjitha këto janë arsyet pse gratë drejtohen te gjinekologu”, ka thënë mjekja.

Kosta ka treguar edhe disa nga simptomat e para të infeksioneve gjinekologjike te gratë dhe vajzat.

“Është normale që çdo grua ka një sasi të caktuar sekrecionesh, kur këto ndryshojnë në sasi, në përbërje, në aromë apo shkaktojnë simptoma si skuqje të zonës intime, dhimbje në fund të barkut, shqetësime urinare, dhimbje gjatë marrëdhënies. Këto janë ato që i drejtojnë gratë te mjeku gjinekolog”, është shprehur doktoresha.

Më tej, doktoresha ka këshilluar që gratë të shkojnë te mjeku gjinekolog përpara pushimeve që mos të përjetojnë stresin gjatë atyre ditëve.

“E mira do të ishte që vizita të kryhej përpara pushimeve, qoftë edhe me ato shqetësimet e lehta, të cilave nuk i japin rëndësi. Me pushimet që shkojnë akoma më shumë shtohen dhe pastaj vështirësojnë diagnozën sepse infeksionet mbivendosen dhe kjo e komplikon situatën. Prandaj është më mirë që më përpara të kurohen dhe të merren këshillat nga mjeku pa pasur stres gjatë pushimeve”, ka thënë ndër të tjera ajo./abcnews.al