Dita e nëntë e protestës i ka mbledhur të gjithë studentët para godinës së Parlamentit për të protestuar për kërkesat e tyre, ditë e cila përkonte edhe me seancën plenare të Kuvendit. Të pyetur nga ABC News studentët këmbëngulin se nuk do ketë dialog pa plotësimin e kërkesave të tyre.
Protesta e ditës së enjte i ka bashkuar të gjithë studentët në mënyrë unanime duke bërë që të mblidhen rreth orës 10:00 dhe të protestojnë para godinës së Parlamentit. Studentët të pyetur nga ABC News vijojnë të këmbëngulin se nuk ka dialog pa realizimin e kërkesave të tyre nga ana e qeverisë.
Studenti 1: “Ne parimisht kemi 8 kërkesa që i kemi shprehur. Të plotësohen ato 8 kërkesa dhe pastaj flasim.”
Studenti 2: “Kërkesat janë shumë të qarta, në qoftë se dialogojmë do të ishte më shumë si monolog i z.Rama, siç bëri në faqen e tij të Facebook-ut live.”
Studenti 3: “Pikat janë shumë të qarta, as negociata e as monolog. Në qoftë se plotësohen mund të fillojmë të dialogojmë se si do të zhvillohen më tej.”
Studenti 4: “Kryeministri kërkon që ne të ulemi në dialog, por ne përsëri nuk vendosim që të uemi në dialog për shkak se mundësia për dialog ka qenë dhe më përpara, por nuk janë marrë parasysh.”
Studentët nuk i dinë asnjëherë hapat se si dhe ku do zhvillohet protesta e tyre e radhës, pasi ata vendosin për gjithçka me anë të komunikimit në rrjetet sociale.
Studenti 5: “Turma vendos, nuk është se vendos unë apo dikush tjetër. Thjesht duke qenë të bashkuar besoj se mund t’ja arrijmë.”
Studenti 6: “Flasim me anë të internetit, me anë të Facebook-ut, me anë të rrjeteve sociale.”
Shpesh edhe nga vetë studentët është aluduar për përshkallëzim të protestës deri në grevë urie, por kjo sipas tyre sjell vetëm humbje në kauzën e tyre.
“Greva e urisë në fakt më shumë na dëmton neve se sa qeverinë. Por mendoj se nuk është opsion i mirë.”
Pas përfundimit të seances plenare të Kuvendit, studentët vendosën që nga Parlamenti të mblidheshin për të protestuar para Godinës së Kryeministrisë./abcnews.al