Një video e rëndë, ku një vajzë e mitur dhunohet brutalisht nga bashkëmoshataret e saj, ka tronditur opinionin publik dhe ka ngritur pikëpyetje të forta mbi realitetin me të cilin po përballen të rinjtë sot. Pamjet, të filmuara brenda një banese dhe të shpërndara në rrjetet sociale, tregojnë një nivel të lartë agresiviteti: goditje me grushte e shuplaka, tërheqje zvarrë prej flokësh dhe një vajzë tjetër që regjistron gjithçka, pa ndërhyrë për ta ndaluar dhunën.
Si mund të arrijë një konflikt mes adoleshentësh në një shpërthim kaq të egër dhune? Çfarë roli luajnë familja, shkolla, shoqëria dhe rrjetet sociale në krijimin e këtij realiteti? A po normalizohet gjuha e urrejtjes dhe agresiviteti tek të miturit?
Institucionet janë vënë në lëvizje dhe çështja po trajtohet nga organet kompetente, ndërsa ligji parashikon se edhe të miturit, në rrethana të caktuara, mund të mbajnë përgjegjësi ligjore për veprimet e tyre. Paralelisht, ekspertët theksojnë rëndësinë e mbështetjes psikologjike për viktimën, por edhe të një vlerësimi të plotë për autorët, familjet dhe mjedisin ku ata janë rritur.
Sot, së bashku me sociologen Eva Sinanaj, avokaten Sabina Meta dhe gazetaren e psikologen Laureta Roshi, në ABC e Mengjesit u analizua jo vetëm këtë ngjarje që ka shokuar opinionin publik, por edhe fenomenin shqetësues të rritjes së dhunës mes të rinjve. Çfarë sinjalesh nuk po arrijmë të lexojmë? A po bëjmë mjaftueshëm për t’i mbrojtur fëmijët tanë? Dhe mbi të gjitha, çfarë duhet të ndryshojë që skena të tilla të mos përsëriten më?/abcnewsa.al



