Dëshmia e gazetarit Bledi Kasmi, debate dhe tensione në komisionin e medias

schedule20:07 - 4 Qershor, 2018

schedule 20:07 - 4 Qershor, 2018

Seanca dëgjimore me gazetarin e Rilindjes Demokratike, Bledi Kasmi, të thirrur nga opozita në komisionin e medias për të dëshmuar lidhur me dëmtimin gjatë protestës së 26 majit, zgjati mbi 3 orë dhe u dominua nga debate me tone të ashpra dhe ofendime mes grupit parlamentar demokrat dhe mazhorancës.

Bledi Kasmi: “Pati një agresion dhe një dhunë nga këto forca speciale ndaj disa protestuesve. Vendosa të vetëmbrohesha duke vendosur duart dhe nuik e di se pse shkopi i hekurt më përzgjodhi vetëm mua. Anëtari i forcave speciale që më goditi erdhi nga radha e dytë e forcave të policisë dhe iu krijua një korridor nga policët e rreshtit të parë. Pasi goditi ai u tërhoq dhe korridori i policëve u mbyll”.

Fidel Ylli: “Nuk është hera e parë që ky komision mblidhet për protesta dhe për gazetarët pasi me 21 Janar, ju e dini që qeveria e asdaj kohe, Sali Berisha, shpalli puçistë 4 gazetarë, të cilët pobënin detyrën e tyre”.

Edmond Spaho: “Desha të shpreh indinjatën dhe dëshiroj ta hedh poshtë me përbuzje, fjalorin që u përdor ndaj kolegëve të opozitës duke u quajtur vrasës. Vrasësit i keni pasur midis jush, në parlamentin tuaj. Një takëm prej këtyre e kanë lënë tashmë parlamentin, por nuk është se kanë mbaruar. Ka edhe të tjerë, kështu që këto fjalë merrini mbrapsht”.

Milva Ikonomi: “Në manualin e gazetarit është e shkruajtur shumë qartë që një gazetar pavarësisht i kujtdo media qoftë, duhet të ketë shenjat dalluese në trup që është duke bërë detyrën, ndërkohë që nga pamjet e asaj dite kemi edhe pamje të këtij lloji që tregon se policia ka marrë masa mbrojtëse ndaj gazetarëve”.

Albana Vokshi: “Po e mbyll këtë mbledhje me thirrjen të distancohemi nga  dhuna. Të gjenden autorët e kësaj dhune! Të gjenden urdhëruesit e kësaj dhune! Të fillojë hetimi”!

Opozita vijoi strategjinë e pjesëmarrjes në komisione vetëm për çështjen që sipas tyre është më e rëndësishmja për shqiptarët, shkarkimi i ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj./abcnews.al