Ishin të përzgjedhur për një ngjarje të bukur.
Mirlind Daku dhe disa futbollistë të tjerë të Rubinit padyshim që kaluan një ditë të mrekullueshme, dhe kështu ndodh gjithmonë kur futbollistët profesionistë dalin përpara fëmijëve.
Sulmuesi I kombëtares shqiptare ishte përfaqësues i klubit në ceremoninë e turneut për të vegjël, “Kupa e Lindjes”.
Ylli kuqezi dhe lojtarët e tjerë të Rubinit morën pjesë në short.
“Na falni që nuk merr pjesë Barcelona”, ishin fjalët e tyre me shaka përpara fëmijëve.
Pas shortit, futbollistët e vegjël u kënaqën në një seancë fotosh me idhujt e tyre, që luajnë në Premier Ligën e Rusisë.
Ceremonia u zhvillua në kompleksin sportiv “Garda e Re” në Kazan, ndërsa turneu mbahet nga 14 deri në 17 maj, me pjesëmarrje të 10 skuadrave nga 8 shtete si Rusia, Kazakistani, Taxhikistani, Azerbajxhani etj.
Ky turne, “Kupa e Lindjes”, organizohet për herë të dytë radhazi, dhe është pjesë e një aktiviteti me emër “Rusia dhe Bota Islamike”.
Vetë Daku vazhdon sezonin me Rubinin në elitën e futbollit rus, ku synon të shtojë numrin e golave dhe të asisteve, që deri tani janë përkatësisht 12 dhe 8.
Gjithashtu, pritet të ketë bisedime për rinovim të mundshëm të kontratës, ose që sulmuesi shqiptar të kalojë në një klub më të madh në Rusi, ose në Europën Perëndimore.