Covid, aktualisht më i përhapur tek fëmijët

schedule17:42 - 15 Mars, 2022

schedule 17:42 - 15 Mars, 2022

Nga Ema Shazivari

Pavarësisht se rastet me Covid janë ulur ndjeshëm në vendin tonë, aktualisht po gjejnë përhapje më të madhe tek moshat pediatrike. Sipas mjekes pediatre- infeksioniste në spitalin Hygeia, Gjeorgjina Kuli, prindërit nuk duhet të ulin vigjilencën. Ajo tregon arsyet pse fëmijët po infektohen më së shumti.

“Pavarëisht se kanë rënë shifrat e infeksionit nga covid 19, nuk mund të themi që prekja nga ky virus është zero. Është vënë re edhe në vende të tjera të botës, që kurba është spostuar tek moshat pediatrike.Tani janë më të ekspozuar fëmijët, pasi janë edhe të pavaksinuar. “

Krahas Covid, ende kemi përhapjen e virozave të stinës, por edhe alergjive.

“Fëmijët kanë një karakteristikë të veçantë që në të gjithë stinët kanë sëmundshmëri të ndryshme. Mund të themi që nuk ka stinë që nuk reflektohet me problematikat e veta tek sëmundshmëria pediatrike. Këtë stinë kemi disa viruse respiratore që akoma mund të jenë në qarkullim. Tjetër patologji që shihet në këtë situatë, janë patologjitë alergjike.”

Për fat të mirë Covid vijon të ketë një ecuri të lehtë, duke i ngjarë më shumë një virozë. /abcnews.al