Nga korriku fëmijët me aftësi ndryshe do të marrin dyfishin e pagesës mujore.Ndërsa kujdestarëve të të vegjëlve dhe të rriturve që bëjnë pjesë në këtë kategori do t’u njihen kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
Ministrja Evis Sala në një bisedë me prindër në Qendrën e Shërbimeve Komunitare Prush u ndal tek masat e reja të miratuara nga qeveria.
“Përmes këtij akti u dyfishua pagesa për 11 mijë fëmijë me aftësi të kufizuar, për herë të parë përmes këtij akti normativ njihen kontributet shoqërore dhe shëndetësore për 14 mijë kujdestar prindër për ata që janë heronj të fshehtë që i kanë kushtuar jetën dashurinë energjinë këtyre fëmijëve, kjo është pak por sigurisht fillimi i diçkaje”, tha ministrja e Shëndetësisë.
Dyfishimi i pagesave vjen pas rritjes me rreth 8.9 miliardë lekë të buxhetit të këtij viti për ministrinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.
Ministrja Sala tha se kjo është hera e parë që mbështetja shtrihet për të gjithë ndihmësit personalë, pa dallim diagnoze apo moshe të personit që përfiton kujdes, duke garantuar trajtim të barabartë dhe më shumë siguri sociale për familjet./abcnews.al



