Me një fjalim të mbajtur në Senat, kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte ka njoftuar dorëheqjen nga posti. Ai ka kritikuar kryetarin e Ligës së Veriut se ka vënë interesat personale përpara atyre të Italisë. Ndërsa Mateo Salvini nga ana e tij është shprehur se ishte gati të ribëjë gjithçka, që ka bërë deri tani.
Pas një sulmi të ashpër ndaj partnerit të koalicionit Mateo Salvini, kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte ka deklaruar se jep dorëheqjen nga posti. Conte tha se Salvini, zëvendës kryeministër i Italisë, ishte sjellë në mënyrë të papërgjegjshme duke krijuar një krizë të re politike për interesa personale dhe në dëm të Italisë.
Duke iu drejtuar Senatit ditën e martë, Conte tha se lideri i Ligës së Veriut, që ishte ulur pranë tij, kishte qenë në kërkim të një preteksti për t’u rikthyer në zgjedhje, pas suksesit të partisë së tij në zgjedhjet euro-parlamentare të majit. Gjithashtu, Konte paralajmëroi se Salvini kishte minuar funksionimin e qeverisë, e cila siç tha ai, “merr fund këtu”.
“E shfrytëzoj këtë rast për të njoftuar se do t’i paraqes dorëheqjen time Presidentit të Republikës”, deklaroi Konte.
Nga ana e tij, Salvini reagoi duke thënë se do të ribënte gjithçka që ka bërë gjatë kohës që ka qeverisur me Conten.
“Jam këtu me forcën e një njeriu të lirë, që do të thotë se nuk i druhem gjykimit. Kush ka frikë nga gjykimi i popullit italian nuk është një njeri i lirë”, tha Salvini.
Duke cituar Ciceronin, ai tha se liria nuk varet nga të pasurit padronin e duhur, por tek fakti i të qenurit të lirë, pa patur asnjë padron mbi kokë.
“Dua që Italia të mos jetë skllavja e askujt. Jemi vendi më i bukur dhe kemi mundësinë të jemi më i pasuri në botë dhe nuk duroj dot më që çdo vendim duhet të varet nga firma e ndonjë funksionari europian”, vijoi Salvini.
Salvini, lider i partisë ekstremiste Liga e Veriut, kishte planifikuar mbajtjen e një mocioni mosbesimi ndaj kryeministrit Conte. Ai gjithashtu kishte thënë se nuk mund të vazhdonte të punonte më me partnerët e koalicionit, Lëvizja 5 Yjet.
Liga dhe lëvizja anti-sistem 5 Yjet krijuan një koalicion qeverisës 14 muaj më parë, me zotin Konte si një kryeministër të pavarur. Në një postim në Facebook në prag të fjalimit të Contes, lideri i 5 Yjeve Luigi Di Maio u shpreh se, “ka ardhur dita kur Liga duhet të përgjigjet për gabimet e saj, për vendimin për të rrëzuar gjithçka dhe për të futur në krizë qeverinë në mes të gushtit”. Ai shtoi se të punonte me Conten kishte qenë një nder.
/ABC News Albania 24/7