Çmimi i karburanteve kap shifra rekord në Shqipëri, shkelja me detyrimin për mbajtjen e rezervave

schedule15:40 - 5 Mars, 2022

schedule 15:40 - 5 Mars, 2022

Të shtunën çmimi i naftës në Shqipëri arriti rekordin e tre dekadave të fundit, 234 lekë për litër, duke detyruar shumë qytetarë të mbyllin automjetet që o përdorin për punë në shtëpi.

Tabelat janë filmuar sot në disa prej pikave kryesore të tregtimit të karburantit në Tiranë.

Shtrenjtimi me 42 lekë për litër është i treti brenda dy ditësh. Një litër naftë të mërkurën mund ta blije me 192 lekë.

Rritja e parë e çmimit në vendin tonë u reflektua kur nafta në bursë arriti 110 dollarë për fuçi ndërsa e dyta kur shkoi në 118 dollarë fuçia.

Të premten çmimi në bursat ndërkombëtare pësoi rënie të lehtë. Fuçia u tregtua me 113 dollarë ndërsa sot ajo shitet me 115.6 dollarë.

Megjithatë në Shqipëri shtrenjtimi I arit të zi nuk po ndalet. Tregtarët e justifikojnë me situatën e krijuar për shkak të luftës mes Rusisë dhe Ukrainës, por ekspertët e ekonomisë e cilësojnë abuzive.

Ata thonë se efektet nuk mund të ndjehen menjëherë në ekonominë tonë.

Nga ana tjetër neni 9 u ligjit për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tij parashikon që kompanitë e shumicës të kenë rezerva karburanti për tre muaj me qëllim ndalimin e rritjes së çmimit.

Specialistët e fushës i sugjerojnë qeverisë që gjatë kësaj periudhe të rishikojë taksat e aplikuara të cilat arrijnë rreth 120 lekë për litër dhe të nxisë konkurrencën në treg.
Në Shqipëri çmimi më I lartë I naftës, 190 lekë litri u arrit në vitet 2008 – 2009 kur ari I zi në bursa I kaloi 140 dollarë fuçia, por dhe atëherë një litër kushtonte 44 lekë më pak se sot./abcnew.al/