Çelja e negociatave, Tabaku: Si opozitë kemi lobuar vetëm në favor të Shqipërisë

schedule15:11 - 13 Shtator, 2019

schedule 15:11 - 13 Shtator, 2019

Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku shprehet kritike në lidhje me hapat e hedhura nga qeveria për çeljen e negociatave në Tetor me Bashkimin Europian. Në një intervistë për ABC News, Tabaku thekson se opozita ka bërë gjithçka për një vendim pozitiv, ndaj edhe pret një vendimmarrje në favor të negociatave me BE.

Demokratët besojnë se qeveria nuk ka marrë asnjë masë për të plotësuar kushtet e vendosura për çeljen e negociatave me Bashkimin Europian. Por pavarësisht kësaj, opozita do ta mbështesë dhe do të lobojë për një vendim pozitiv në Tetor. Në një intervistë për ABC News, ish-deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku  thekson se opozita nuk ka qenë kurrë pengesë për negociatat dhe se përgjegjësitë duhen parë gjithmonë nga qeveria.

“Është e vetmja qeveri që nga 5 kritere që i gjeti, i përkeqësoi dhe kaloi në 7 kritere. Opozita në asnjë nga këto pika nuk ka lidhje për të plotësuar. Opozita çfarë mund të bëjë? Opozita mund të thotë fjalën e saj dhe Basha e ka thënë në Bruksel dhe kushdo që ka pasur mundësi e ka thënë që ne jemi pro hapjes së negociatave. Nga 2013 e këtej kushdo që lexon raporte e shikon që nuk jepet opozita si pengesë”, tha Tabaku.

Formula e zgjidhjes së krizës me ndërmjetësim ndërkombëtar apo me tryezë të gjerë dialogu, pjesë e së cilës do të jetë i gjithë faktori politik mbetet e paqartë. Por për Tabakun e sigurt është se rruga e nisur nga demokratët është pa kthim.

“Nuk e di se kush është formula e artë për të dalë nga kriza, por di të them që PD ka nisur një rrugë pa kthim dhe ka nisur një rrugë të cilën e ka seriozisht duke pasur një vizion parasysh, duke pasur vizionin e një Shqipërie evropiane. Në një Shqipëri evropiane ne nuk mund të diskutojmë për zgjedhje ku mbushen kutitë e votimit, nuk mund të diskutojmë për standardet e demokracisë që janë në rrezik dhe nuk mund të diskutojmë për kriminelë që i caktojnë anëtarë parlamenti”, tha Tabaku.

Shqiptarëve shumë shpejt do t’i paraqitet nga Partia Demokratike, platforma për daljen nga kriza. Ish-nënkryetarja e Komisionit të Ekonomisë flet për një punë intensive në terren për të reflektuar në dokumentin final çdo shqetësim të grupeve të interesit.

“Ne i kemi prezantuar shtyllat kryesore të programit tonë nga pikëpamja fiskale dhe është duke u punuar për të gjithë pjesën tjetër programore dhe sektoriale. Kjo ka ardhur nga kontaktet e vazhdueshme me të gjitha grupet e interesit, qytetarët dhe kjo është duke u bërë në çdo fushë dhe çdo sektorë nga specialistët dhe përfaqësuesit e lartë të PD-së”, tha Tabaku.

Mënyra e zgjidhjes së krizës tani është e gjitha në duart e liderit të opozitës, Lulzim Basha. Pas takimeve në Bruksel dhe një takimi konfidencial në Presidencë me Metën, kryedemokrati ka folur pak për mënyrën se si vendi do dal nga kriza, por ka garantuar se pakt të ngjashëm me atë të 2017 me Ramën nuk ka për të pasur./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!