Çdekretimi i zgjedhjeve, Presidenca: Vetëm Gjykata Kushtetuese mund ta shqyrtojë

schedule17:34 - 13 Qershor, 2019

schedule 17:34 - 13 Qershor, 2019

Institucioni i Presidentit të Republikës e ka konsideruar debatin e zhvilluar në parlament si lumë fyerjesh, që nuk i shërbejnë zgjidhjes së krizës. Anulimi i zgjedhjeve të 30 Qershorit deklaroi këshilltari ligjor i Presidentit Besnik Dervishaj është një akt i detyrueshëm për t’u zbatuar.  Çdekretimin e vendoreve sipas Dervishajt, mund ta vlerësojë vetëm Gjykata Kushtetuese.

Pas votimit të rezolutës në Kuvend ka reaguar sërish presidenti i Republikës. Përmes këshilltarit të tij ligjor Bledar Dervishaj, bëri të ditur se shfuqizimi i datës së zgjedhjeve është kryer konform kushtetutës dhe është i detyrueshëm për zbatim.

“Akti i Presidentit të Republikës, për shfuqizimin e Dekretit për caktimin e datës 30 qershor, si ditë e zhvillimit të zgjedhjeve për pushtetin vendor, në zbatim të parashikimeve kushtetuese; referuar praktikës kushtetuese; referuar marrëdhënieve juridiko-shoqërore që ai rregullon, si dhe referuar argumenteve kushtetuese mbi bazën e të cilëve është marrë, e bën Dekretin e Presidentit një akt me natyrë krejtësisht të veçantë, dhe si i tillë, askush tjetër veç Gjykatës Kushtetuese, nuk mund të shqyrtojë vlefshmërinë apo anti-kushtetutshmërinë e tij”, tha ai.

Presidenti ka nisur tashmë konsultimet me partitë politike dhe u bën të ditur qytetarëve se do caktojë së shpejti një datë të re zgjedhjesh.

“Presidenti i Republikës i siguron gjithashtu qytetarët e Shqipërisë se ata do të votojnë përtej 30 qershorit, në një datë sa më të afërt, në një situatë të qetë dhe në mënyrë të lirë e të ndershme. Pikërisht për caktimin edhe të kësaj date të re, Presidenti, prej ditës së djeshme ka nisur një proces të gjerë konsultimi me të gjitha forcat politike në vend. Presidenti do të shprehet me Dekret për caktimin e një date të re”, tha ai.

Këshilltari Dervishaj përsëriti qëndrimin e kreut të shtetit se shtyrja e datës së zgjedhjeve nuk cënon interesat e qytetarëve e nuk prek shërbimet ndaj tyre sepse kryetarët e bashkive qëndrojnë në detyrë deri në ardhjen e pasardhësve.