Shtojca e sigurisë e nënshkruar të premten në mbrëmje nga Libani dhe Izraeli në Uashington, paralelisht me marrëveshjen kornizë mes dy vendeve (e cila e përmend atë tre herë), u publikua të hënën në mbrëmje dhe është e përqendruar kryesisht te çarmatimi i Hezbollahut.
Gazeta L’Orient-Le Jour ka konfirmuar vërtetësinë e dokumentit, i publikuar nga gazetarja Hiba Nasr, drejtore e zyrës në Uashington të medias arabe Asharq Bloomberg.
Formula e sigurisë që kanë theksuar zyrtarët izraelitë që nga e premtja paraqitet qartë në pikat 3 dhe 4: tërheqja “graduale” e ushtrisë izraelite nga jugu i Libanit varet nga “çarmatimi i Hezbollahut dhe i të gjitha grupeve të tjera të armatosura jo-shtetërore” nga ushtria libaneze.
Shtojca detajon gjithashtu mekanizmin për “zonat pilot” në jug të lumit Litani, ku ushtria libaneze duhet të zëvendësojë gradualisht ushtrinë izraelite. Në këtë kuadër, parashikohet që Izraeli dhe Libani të krijojnë së bashku një entitet të quajtur “Grupi i koordinimit ushtarak për Libanin”.
Palët do të përcaktojnë menjëherë dhe do të nisin zonën fillestare pilot në sektorin në jug të Litanit, sipas një procesi planifikimi ushtarak të dakorduar, i bazuar në një model me katër hapa:
Neutralizimi: marrja e masave ligjore kundër çdo personeli të armatosur jo-shtetëror që kryen aktivitete të paautorizuara, dhe shkatërrimi ose nxjerrja jashtë përdorimit e infrastrukturës përkatëse, përfshirë armët, depot e armëve, tunelet dhe qendrat e komandës së këtyre grupeve.
Verifikimi: verifikimi i eliminimit të të gjitha grupeve të armatosura jo-shtetërore dhe infrastrukturës së tyre ushtarake nga një entitet i tretë i dakorduar reciprokisht.
Prania e Forcave të Armatosura Libaneze (FAL): vendosja e forcave të kualifikuara të ushtrisë libaneze që marrin dhe mbajnë kontrollin operacional ekskluziv për të parandaluar çdo rikthim të aktiviteteve të armatosura jo-shtetërore.
Rindërtimi: shteti libanez drejton përpjekjet e rindërtimit, të mbështetura nga ndihma ndërkombëtare dhe të koordinuara përmes komponentit politik.
Forcat e Armatosura Libaneze do të udhëheqin zbatimin e këtij modeli, suksesi i të cilit do të matet nga zbatimi i verifikueshëm i procesit të çarmatimit dhe çmontimit të rënë dakord në këto negociata.
Izraeli dhe Libani do të krijojnë Grupin e Koordinimit Ushtarak për Libanin (MCG4L), i cili do të funksionojë 24 orë në ditë dhe 7 ditë në javë për të menaxhuar dekonfliktimin, verifikimin dhe zbatimin e përgjithshëm.
Kjo strukturë do t’u raportojë autoriteteve politike përkatëse të Izraelit dhe Libanit përmes kanaleve ushtarake indirekte mes dy vendeve.
Verifikimi do të vazhdojë njëkohësisht me operacionet e neutralizimit.
Forcat e Armatosura Libaneze angazhohen të marrin masat operacionale të nevojshme për të siguruar çarmatimin e Hezbollahut dhe të të gjitha grupeve të tjera të armatosura jo-shtetërore, dhe të garantojnë që ato të mos kenë asnjë rol apo kapacitet ushtarak në Liban.
Në varësi të përfundimit të suksesshëm të një procesi të dakorduar dhe të verifikueshëm të çarmatimit dhe çmontimit, Izraeli angazhohet për një reduktim gradual të pranisë së tij ushtarake, të bazuar në kushte të përcaktuara më parë, dhe më pas për tërheqjen përfundimtare të forcave të tij nga territori libanez.
Ky proces do të planifikohet dhe do të fazohet nga MCG4L për të përkuar me vendosjen e Forcave të Armatosura Libaneze.
Në kuadër të përpjekjes më të gjerë për çarmatimin dhe çmontimin e të gjitha grupeve të armatosura jo-shtetërore, në përputhje me marrëveshjet e arritura në këto negociata, synohet rikthimi i autoritetit të plotë të shtetit libanez në të gjithë territorin dhe garantimi i sigurisë afatgjatë të Izraelit.
Palët, me lehtësimin e Shteteve të Bashkuara, do të kryejnë rishikime periodike të zbatimit të kësaj shtojce dhe mund ta ndryshojnë atë me marrëveshje të ndërsjellë.
Çdo mosmarrëveshje lidhur me interpretimin ose zbatimin e saj do të zgjidhet përmes diskutimeve trepalëshe.



