Bushati: Qeveria shqiptare e gatshme të mirëpresë 20 refugjatët

schedule14:14 - 26 Gusht, 2018

schedule 14:14 - 26 Gusht, 2018

Në një intervistë për gazetën italiane “Corriere della Sera” ministri i jashtëm shqiptar Ditmir Bushati  sqaroi qëndrimin e qeverisë shqiptare për mirëpritjen e 20 refugjatëve të anijes “Diciotti”. Bushati  ka zhvilluar  një bisedë telefonike me kolegun italian Moavero Milanesi , ku mësohet se kanë diskutuar për takimin që do të zhvillohet së shpejti mes zyrtarëve shqiptarë dhe italianë për të organizuar transferimin dhe për të vendosur fondet që do të përdoren.

Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati  deklaroi për gazetën italiane “Corriere della Sera” qëndrimin e qeverisë shqiptare për pranimin e 20 emigrantëve të bllokuar në Katania një ditë më parë. Ai e sintetizon përmes një titulli:

“Kur eritreasit ishim ne, 26 vjet më parë, ju italianët na hapët dyert, na mikpritët në shtëpitë tuaja, na ushqyet. Sot dëshirojmë t’ju kthejmë atë të mirë, edhe pse në mënyrë modeste, duke mirëpritur 20 refugjatë të anijes “Diciotti”.

Sipas artikulli të “Corriere” kjo konfirmon orientimin e ri të Shqipërisë një çerek shekulli më pas, nga një vend dëshpërimi në një komb dinamik dhe në pritje të muajit qershor 2019,  kur duhet të çelen negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Një gjest, ky i Tiranës që “shpresojmë të përcjellë një mesazh për të tjerët, vijon më tej Bushati,  për “Corriere”.

Në marrëveshjen me Romën u arrit pas disa bisedave mes institucioneve të dy vendeve. Më pas vijoi biseda telefonike mes Bushatit dhe kolegut italian Moavero Milanesi.

Në ditët në vijim, zyrtarët shqiptarë dhe italianë do të takohen për të organizuar transferimin dhe për të vendosur fondet që do të përdoren.

Sipas “Corriere” për momentin bëhet fjalë për 20 refugjatë, por Bushati nuk përjashton se mund të jenë edhe më shumë.

Sigurisht mbi bazën e kapaciteteve tona, nuk mund të ofrojmë më shumë se ç’mundemi” –I pyetur nëse ky gjest, është një mënyrë për Tiranën për të përshpejtuar hyrjen në BE? Bushati sipas Corriere është përgjigjur: “Ne jemi gati, por na intereson më shumë të japim një mesazh”.

Bushati ka hedhur poshtë idenë për ngritjen e kampeve të refugjatëve në Shqipëri.

“Jemi kundër dhe Kryeministri Rama ka qenë i qartë: nuk janë përgjigjja e duhur ndaj fenomenit migrator”./abcnews.al