Një nga gazetat më të njohura të Italisë ka një histori që, sipas studiuesit Alban Kraja, lidhet edhe me një figurë me origjinë shqiptare. Bëhet fjalë për Eugenio Torelli Viollier, themeluesin e “Corriere della Sera”, i cili nxori numrin e parë të gazetës në Milano më 5 mars 1876.
Gazeta nisi me 15 mijë kopje dhe numri i parë u shit i gjithi, ndërsa të ardhurat iu dhuruan një organizate për ndihmën e familjeve në nevojë. Torelli Viollier kishte lindur në Napoli në vitin 1842 dhe kishte qenë edhe garibaldin, përpara se të ndërtonte karrierën e tij në gazetari.
Por pas kësaj figure të rëndësishme të gazetarisë italiane qëndron një histori familjare që studiuesit e lidhin me shqiptarët e Italisë. Sipas Alban Krajës, kjo histori ndërthuret edhe me përpjekjet për çështjen kombëtare shqiptare në shekullin XIX.
Në rrëfimin e tij përmendet bashkëpunimi me figura të njohura të Rilindjes shqiptare, mes tyre edhe Jeronim De Rada. Por historia nuk ndalet këtu.
Kraja sjell në vëmendje edhe figurën e Tërens Toci dhe episodet e hershme të ngritjes së flamurit shqiptar, duke hapur një tjetër kapitull pak të njohur. Një tjetër tezë e fortë e studiuesit lidhet me Homerin dhe botën e “Odisesë”.
Sipas këndvështrimit të tij, emrat dhe elementet e botës homerike mund të interpretohen përmes trashëgimisë pellazgjike dhe të krahasohen me shqipen. Në këtë debat ai sjell edhe një element nga filmi i fundit i Christopher Nolan, ku ushtarët hasin një bari që flet greqishten e lashtë në mënyrë të pakuptueshme për ta.
Edhe përdorimi i fyellit dhe elementeve muzikore të lidhura me isopolifoninë shërbejnë, sipas tij, si pika reflektimi mbi trashëgiminë e lashtë të rajonit. A ishte themeluesi i “Corriere della Sera” shqiptar me origjinë?
Sa të qëndrueshme janë këto lidhje historike dhe çfarë thonë burimet për to? Një histori mes gazetarisë italiane, Rilindjes shqiptare dhe tezave mbi botën pellazgjike që hap debat mbi të kaluarën.

