BSH: Inflacioni do nisë ngadalësimin në 2023, forcimi i lekut ndikon në ulje çmimesh

schedule16:08 - 27 Dhjetor, 2022

schedule 16:08 - 27 Dhjetor, 2022

Ekonomia shqiptare u përball me një sërë sfidash gjatë 2022. Inflacioni arriti në nivelin 8.3%, më i larti që prej disa dekadash, i ndikuar direkt nga konflikti Rusi-Ukrainë. Por pritshëmritë janë më pozitive për vitin e ardhshëm. Drejtori i Politikës monetare në Bankën e Shqipërisë, Erald Themeli thekson se gjatë vitit 2023 inflacioni do të nisë uljen  për t’u kthyer në objektiv në mesin e vitit 2024.

Për të  stabilizuar nivelin e inflacionit Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë duke rritur 5 herë normën bazë të interesit duke e çuar atë në nivelin 2.75% ndërsa nuk përjashtohet mundësia për të tjera ndërhyje që do të jenë më minimale.

Rritja e normës së interseit nga Banka e Shqipërisë ka ndikuar në shtrenjtimin e kredive në vend por edhe në ngadalësimin e kreditimit. Por pavarësisht kësaj treguesit mbeten optimist.

Banka e Shqipërisë e argumenton forcmimin e monedhës kombëtare kundrejt euros dhe dollarit me fluksin e eurove në treg. Për ekonominë shqiptare forcimi i lekut ka ndikim në nivelin e inflacionit.

Inflacioni pësoi një ngadalësim për herë të parë në disa muaj duke zbritur nga 8.2% në 7.9% gjatë muajit nëntor. Nisur nga kjo Banka e Shqipërisë la të pandryshuar normën bazë të interesit në 2.75 për këtë vit.