Britania, 44 milionë stërlina për sigurinë kufitare

schedule15:11 - 18 Janar, 2018

schedule 15:11 - 18 Janar, 2018

Mbretëria e Bashkuar do të rrisë shpenzimet për sigurinë në kufirin me Francën, për t’i bërë ballë emigracionit. Ndërkohë, në një takim me presidentin Macron, kryeministrja May pritet të njoftojë pranimin e refugjatëve në moshë të mitur.

 

Një fond shtesë prej 44.5 milionë stërlina do të shpenzohet për të garantuar sigurinë në kufijtë e Kanalit që lidh Britaninë me Francën. Fondi do të shpenzohet për gardhe me tela me gjemba, kamera me qark të shkurtër, të pajisura me rreze zbulimi infra të kuqe, të cilat do të vendosën në lokalitetin Kale, që në vitet e fundit u kthye në vatër të emigrantëve, si dhe në pika të tjera të kufirit. Njoftimi i qeverisë britanike vjen kur presidenti francez Emmanuel Macron po zhvillon një vizitë Mbretërinë e Bashkuar, në fokus të të cilës është një takim me kryeministren Theresa Mey. Sipas korrespondentit të BBC, James Robbins, gjatë takimit kokë më kokë pritet që kryeministrja May të zotohet për pranimin e më shumë emigrantëve nga Kale, kryesisht të atyre në moshë të vogël që janë të pashoqëruar. Sipas gazetarit, edhe pse dy vendet kanë marrë drejtime të ndryshme si pasojë e Brexit, dy qeveritë janë të prirura të tregojnë se do të vazhdojnë bashkëpunimin e ngushtë. Ndërkohë, mes angazhimeve të tjera të Londrës zyrtare pritet të jetë edhe dërgimi i helikopterëve “Chinook” në Mali, ku trupat franceze po luftojnë kundër militantëve islamikë. Ndërsa pala franceze do të dërgojë më shumë trupa në kufirin mes Estonisë dhe Rusisë, për t’i ardhur në ndihmë kontigjentit britanik që ndodhet atje./abcnews.al