Zona e Liqenit të Bovillës dhe Maja e Gamntit po shndërrohen në një nga “xhevahirët” natyrorë pranë Tiranës.
Ajo që e bën këtë zonë kaq tërheqëse është kombinimi i disa elementeve: afërsia me qytetin, natyra e paprekur dhe ndjesia e aventurës. Vetëm rreth 25 km larg kryeqytetit, vizitorët kalojnë nga ritmi urban në një peizazh të egër malor brenda pak kohësh.
Turistë të rinj nga vende të ndryshme të botës po zgjedhin këtë zonë për të eksploruar natyrën dhe për të përjetuar aventura në terren malor. Një nga aktivitetet më të preferuara është ngjitja në majën e Gamntit përmes shkëmbinjve, një eksperiencë që kërkon përgatitje fizike, por që shpërblehet me një panoramë mbresëlënëse.
Nga maja, vizitorët shijojnë një pamje spektakolare ku Liqeni i Bovillës, vargmalet përreth dhe rrugët që gjarpërojnë drejt fshatrave malorë duken si në pëllëmbë të dorës. Shumë prej tyre ndalojnë për të fotografuar dhe për të ruajtur kujtime nga kjo përvojë unike në natyrë.
Megjithatë, udhëtimi drejt kësaj zone nuk është pa sfida. Segmentet rrugore, veçanërisht pranë Zall Herr, janë të amortizuara dhe e bëjnë aksesin më të vështirë. Pavarësisht kësaj, interesi i turistëve nuk është zbehur, duke dëshmuar potencialin e madh që ka kjo zonë për turizmin natyror.
Malësia e Krujës dhe Liqeni i Bovillës po shndërrohen kështu në një destinacion gjithnjë e më të kërkuar për ata që duan të largohen nga zhurma e qytetit dhe të përjetojnë bukuritë e natyrës shqiptare./abcnews.al


