Boston Sëlltiks me fat në sfidën me Denverin

schedule16:07 - 30 Janar, 2018

schedule 16:07 - 30 Janar, 2018

Boston Sëlltiks e mbajti vendin e parë në Konferencën Lindore në basketbollin amerikan. Gjithsesi, u desh një paraqitje e mirë e yllit Kajri Irving për të fituar në fushën e Denverit.
Nëse kjo gjuajte-pasim do të kishte qenë pak më e shpejtë, do të kishim folur ndryshe.

Bostoni pati fat dhe fitoi një përballje shumë të vështirë në fushën e Denverit, madje vetëm me një pikë diferencë, 111-110.
Kajri Irving dhe shokët e tij e provuan sërish se çfarë do të thotë të pretendon për të fituar NBA-në, edhe pse mund të kesh veshur fanelën më të rëndë në ligë, atë që mban rekordin e titujve.

Irving shënoi 27 pikë dhe Bostoni arriti më në fund fitoren e dytë në 7 ndeshjet e fundit.
Ai u ndihmua shumë nga disa prej shokëve, si Xhejsë Tatëm që shënoi 20 pikë dhe Markus Morris me 14, dhe ekipi i famshëm ia doli ta mbante vendin e parë në Konferencën Lindore, baraz me Toronton.

Bostoni ishte në epërsi të 20 pikëve, por pastaj kaloi në dizavantazh.
Po ashtu, Sëlltiksët nuk mbajtën dot epërsinë 6-pikëshe në minutat e fundit kur vendasit luajtën shumë mirë dhe patën besim tek fitorja.
Denveri u udhëhoq nga lojtari serb, Nikola Jokiç, që shënoi 24 pikë dhe kapi 11 topa në tabela dhe shërbeu 5 pasime për kosh, por edhe mjaft basketbollistë të tjerë e mbështetën.

Bostoni ka 17 tituj, më shumë se kushdo tjetër në basketbollin amerikan, por të fundit e ka fituar 10 vjet më parë.
Shpresa është që nën udhëheqjen e Kajri Irvingut, të hapet një tjetër epokë si ato të Bill Rasëllit apo Lerri Bërdit./abcnews.al