Bisedime për zgjidhjen e krizës, të mërkurën vjen delegacioni i PE-së

schedule12:04 - 22 Shkurt, 2019

schedule 12:04 - 22 Shkurt, 2019

Një delegacion i Parlamentit Europian pritet të mbërrijë të mërkurën në Tiranë, në kushtet e një klime të ashpër politike në vend, pas vendimit të opozitës për të lënë parlamentin. Tetë eurodeputetët do të takohen me drejtues të qeverisë dhe të opozitës, në përpjekje për gjetjen e një zgjidhjeje politike.

Djegia e mandateve ka detyruar Parlamentin Evropian të sjellë të mërkurën në Shqipëri një delegacion të Komisionit të Punëve të Jashtme të përbërë nga 8 deputetë të grupimeve të ndryshme politike të Parlamentit Europian.

Grupimi i socialistëve dhe demokratëve (S&D) përfaqësohet nga raportuesi për Shqipërinë Knut Fleckenstein dhe Juan Fernando Lopez Aguilar, Cristian Dan Preda dhe Tunne Kellan nga grupimi i partive popullore. Grupimi i liberalëve dhe demokratëve (ALDE) përfaqësohet nga Ilhan Kyuchyuk. Grupimi i gjelbër (The Greens) nga Tamas Mezcerics. Grupimi i konservatorëve dhe reformistëve (ECR) do të përfaqësohet nga Bas Belder dhe grupimi i Europës së Kombeve dhe Lirive (ENF) Jean-Luc Schaffhausser.

Qëllimi i kësaj vizite është për t’u informuar në detaje mbi situatën e re në të cilën është futur vendi pas dorëzimit të mandateve parlamentare të opoziës dhe hapat që priten të merren në vjim.

Në krye të axhendës, qëndron takimi me kryetarin e opozitës, Lulzim Basha dhe kryetaren e LSI-së Monika Kryemadhi. Më pas takimet vijojnë me kryeministrin Edi Rama dhe ministrin në detyrë për Evropën e Punët e Jashtme, Gent Cakaj. Delegacioni do të takohet me kreun e Kuvendit, Gramoz Ruçi, si dhe dy përfaqësues të shoqërisë civile, një për çështjet e mjedisit dhe një gazetar të BIRN.

Thirrjet për dialog të bëra së largu nuk u dëgjuan nga mazhoranca dhe opozita. Për gjetjen e një zgjidhje Parlamenti Evropian do të sjellë këtë të mërkurë 8 deputetët, të cilët do të këmbëngulin në arritjen e një marrëveshje mes opozitës së bashkuar dhe qeverisë./abcnews.al