“Me vullnetin e Zotit, do të shpëtojmë shumë jetë”, Biden nënshkruan ligjin për kontroll të armëve

schedule16:59 - 25 Qershor, 2022

schedule 16:59 - 25 Qershor, 2022

Presidenti amerikan Joe Biden nënshkroi sot një projekt-ligj ndërpartiak për sigurinë e armëve, vetëm disa ditë pasi një vendim i Gjykatës së Lartë përmbysi një ligj jokushtetues të shtetit të Nju Jorkut, i cili kishte të bënte me posedimi i armëve të zjarrit, duke u dhënë kështu të drejtën qytetarëve amerikanë të lëvizin të armatosur.

“Kjo është një ditë historike. Me vullnetin e Zotit, do të shpëtojë shumë jetë”, tha Biden nga Shtëpia e Bardhë.

Legjislacioni i ri përfshin dispozita që i ndihmojnë SHBA-të t’i mbajnë armët larg nga personat që konsiderohen të rrezikshëm për veten ose të tjerët, shkruan CNN.

Ligji i ri kufizon shitjet e armëve për blerësit që janë dënuar më parë  për dhunë në familje.

Kontrolli i armëve është kthyer tash e një kohë në çështje që krijon ndasi në Shtetet e Bashkuara, pasi shumë tentime për të kontrolluar shitjen e tyre, kanë dështuar njëra pas tjetrës.

Legjislacioni i ri përfshin provizione për t’iu ndihmuar shteteve që të mbajnë armët larg duarve të atyre që konsiderohen të rrezikshëm si dhe të bllokojë shitjen e armëve për ata që janë dënuar për abuzime me partnerë të pamartuar.

Legjislacioni nuk ndalon shitjet e pushkëve apo karikatorëve me kapacitet të lartë.

Për herë të parë, me ligj parashihet që të bëhen kontrolle për të kaluarën e një të mituri para se të blihet një armë, si dhe ky dokument shënjestron blerësit që kanë qenë të dënuar në të kaluarën për dhunë familjare.

Biden ka përsëritur kritikat për vendimin e marrë nga Gjykata Supreme të premten, e cila ka eliminuar të drejtën kushtetuese për abort.

Ai ka thënë se administrata e tij do të fokusohet te vendet që do të zbatojnë këtë vendim dhe të sigurohet se ato nuk do t’i shkelin ligjet tjera.

Vetëm në vitin 2020 kanë vdekur mbi 45,000 amerikanë nga armët, qofshin duke u vrarë apo vetëvrarë. Ky ka qenë viti me shifrën më të lartë të viktimave të tilla, i regjistruar në historinë amerikane./abcnews.al/