Sondazh

Grushtat në protestë, a shënojnë fundin e saj?

Loading ... Loading ...
 

Berisha pritet me protesta në SHBA/ Boduri: Jemi kërcënuar nga njerëzit e PD. Ai vazhdon të jetë ‘non grata’ për shqiptarët

schedule19:19 - 6 Shtator, 2026

schedule 19:19 - 6 Shtator, 2026

Vizita e Sali Berishës në SHBA pas 14 vitesh është shoqëruar me protesta nga disa pjesëtarë të komunitetit shqiptar atje. Sipas protestuesit Jurgen Boduri, manifestuesit kanë dashur të përcjellin mesazhin se Berisha mbetet “non grata” për shqiptarët e Amerikës, pavarësisht pretendimeve për heqjen e këtij statusi.

Boduri e cilësoi këtë vizitë si një përpjekje personale të Berishës për pastrimin e figurës së tij dhe se roli i tij në takime do të jetë thjesht si figurant.

Ai gjithashtu denoncoi se protestuesit janë sulmuar e kërcënuar nga njerëz të paguar dhe figura të rëndësishme të PD-së. Megjithatë, organizatorët kanë paralajmëruar vazhdimin e protestave edhe në Teksas për t’u treguar politikanëve amerikanë qëndrimin e tyre kundër tij.

“Ne kemi protestuar në hyrje të godinës, ndërkohë që makina e Berishës ka ndaluar më larg. U sulmuan nga njerëz të paguar nga PD. Ne përmes kësaj proteste kemi dashur që të tregojmë se Sali Berishës mund t’i jetë hequr ‘non grata’, edhe pse nuk ka asnjë dokument zyrtar, por kemi dashur t’i tregojmë që Berisha është ‘non grata’ nga shqiptarët e Amerikës.

Nuk ka ndonjë rëndësi të madhe takimi i Berishës dhe ardhja e tij në SHBA. Nuk është një ftesë kaq e rëndësishme dhe për ta reklamuar si diçka të madhe sikur Berisha takon Donald Trump dhe ka një përkrahje kaq të madhe nga shqiptarët. Kjo i shërben vetëm Berishës dhe pastrimit të figurës së tij. Ai vazhdon të jetë ‘non grata’ për të gjitha gjërat që ka bërë gjatë kohës që ka qeverisur.

Ai do të jetë në atë takim vetëm si figurant dhe nuk do të ketë hapësirë për të folur. Ne jemi goditur dhe jemi kërcënuar nga njerëz të paguar nga Sali Berishës. Sot kam marrë kërcënime në mënyrë të drejtpërdrejtë nga figura shumë të rëndësishme të PD. Gjithsesi ne do të mundohemi që të mblidhemi në Teksas dhe t’u tregojmë politikanëve amerikanë që Berisha nuk duhet si figurë nga shqiptarët”, tha Boduri.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!