BE dënon vendimin e Trumpit për të ndaluar fluturimet nga Europa

schedule14:32 - 12 Mars, 2020

schedule 14:32 - 12 Mars, 2020

Bashkimi Evropian tha sot se vendimi i presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për të ndaluar fluturimet nga Evropa për në SHBA, është marrë “në mënyrë të njëanshme” dhe “pa u konsultuar”.

Trump tha se fluturimet nga 26 vende të Evropës – që janë pjesë e zonës së lëvizjes së lirë Schengen – për në Shtetet e Bashkuara, do të pezullohen për 30 ditë, për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të koronavirusit në SHBA.

“Koronavirusi është krizë globale, nuk është i kufizuar në ndonjë kontinent dhe kërkon bashkëpunim në vend të veprimit të njëanshëm”, thanë përmes një deklarate të përbashkët presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.

“Bashkimi Evropian është duke ndërmarrë veprime të fuqishme për të kufizuar përhapjen e virusit”, thanë ata.

Dhjetëra vende të Evropës janë prekur nga një koronavirus i ri, që besohet se e ka origjinën në Kinë. Vendi i goditur më se keqi është Italia, me mbi 12,000 njerëz të infektuar dhe me mbi 827 të vdekur./ abcnews.al