BE, 80 milionë euro grante për energjinë, Rama tregon nëse do të hiqet dorë nga fasha 800 kwh

schedule17:06 - 27 Tetor, 2022

schedule 17:06 - 27 Tetor, 2022

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen njoftoi në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama se BE ka akorduar një grant prej 80 milionë eurosh dhe dhe 500 milionë euro për të investuar në sektorin e energjisë elektrike.

I pyetur nga gazetarët nëse kjo ndihmë nga BE, do të bëjë që qeveria të heqë dorë nga vendosja e fashës 800 kwh, kreu i qeverisë tha se në fakt është vetëm një e gjashta e të ardhurave që duhen për të mbuluar kostot e energjisë.

Rama theksoi se nuk po flitet për rritje të çmimit të energjisë elektrike, por vendosje të një tavani nën të cilin familjet shqiptare mund të mbulojnë nevojat e tyre kryesore. Po ashtu, ai theksoi se nëse trendi vijon të jetë pozitiv, pra qytetarët vijojnë të kursejnë dhe ka prani reshjesh shiu, qeveria nuk do të jetë e detyruar që të aplikojë fashën.

Pra, sipas kryeministrit, ndihma e dhënë nga BE nuk është e mjaftueshme dhe gjithçka do të varet nga situata hidro-energjitike në vend.

“80 milionë euro grante nuk janë pak, janë një shifër e konsiderueshme. Për t’u përgjigjur pyetjes, sa pjesë e të tërë nevojës janë që të mbrojmë çmimin e familjeve, janë një e gjashta. Nëse i referohemi këtij viti, na është dashur në total, 460 milionë euro. Një shumë e kombinuar nga buxheti i shtetit dhe OSHEE. Një shumë që ka ndihmuar edhe për inflacionin.

Shqipëria sot ka inflacionin më të ulët në rajon dhe arsyeja kryesore është fakti që kemi një mburojë financiare për çmimin e energjisë. Po ta kishim prekur qoftë dhe pak çmimin e energjisë, do të kishte reflektuar menjëherë te të gjitha çmimet e familjeve. E dyta, nuk do ta rrisim çmimin e energjisë. Vendosja e fashës nuk është rritje, por vendosja e një tavani, nën të cilin çdo familje mund të kryejë nevojat bazike, pa pasur nevojë për më shumë.

Mbi 1 milion abonentë familjarë janë që konstatohet se dalin mbi këtë tavan në kulmin e nevojës për ngrohje apo ftohje. Kjo është komplet gjë tjetër në krahasim me fjalorin rritje e energjisë. Edhe për këtë pjesë, edhe për faktorin psikologjik, ne kemi shtyrë aplikimin e fashës për muajin tetor, jo sepse kështu deshëm ne, por se patëm reshje dhe pamë një ulje të konsumit.

Aktualisht po e shohim, reshje s’ka, qielli shkëlqen nga dielli. Lajmi është i keq. Shohim pozitivitet sa i përket kursimit. Nëse do të kursehet arsyeshëm, mundësia që ne të veprojmë ndryshe me fashën krijohet. Fasha ka kohë që është vendosur në Kosovë dhe nuk na rezulton që ka prekur gjithë popullin e Kosovës,” tha ndër të tjera kryeministri Edi Rama. /abcnews.al/