Bashkëpunimi rajonal në tregti përballet me problemet e infrastrukturës

schedule16:13 / 19/09/2019

Infrastruktura mbetet problemi kyç për bashkëpunim mes biznesmenëve nga Maqedonia e Veriut, Kosova e Shqipëria. Gjatë një takimi në Shkup, ata kanë kërkuar nga politikanët që të përshpejtojnë projektet infrastrukturore dhe të reduktojnë procedurat për qarkullim më të shpejtë të mallrave, që do të rezultonte me bashkëpunim dhe shkëmbim më të madh tregtar.

Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës Nikolin Jaka iu bëri thirrje autoriteteve të nisin punët në teren për rehabilitimin e infrastrukturës që lidh këto vende, lehtësimin e proceduarve administrative dhe heqjen e barrierave jotarifore.

Kryetar i Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi, fajin e adresoi tek autoritetet e Maqedonisë së Veriut. Sipas tij, dy vendet kanë potenciale për bashkëpunim më të mirë ekonomik, por se kjo duhet të zbatohet në praktikë.

Kryetari i OEMVP- Nebi Hoxha kërkoi nga autoritetet e vendit të përshpejtojnë ndërtimin e autostradës Shkup Bllacë pasi afati i për ndërtim e të njëjtës deri në vitin 2023 për ta është i papranueshëm.

Ndërkohë, autoritetet e premtuan përfundimin e shpejtë të procedurave për autostradën. Por, rruga deri në Bllacë ende është në fazën tenderuese të pjesës së parë, ku sipas autoriteteve të Shkupit ndërtimi fillon në fund të këtij viti, e pjesa tjetër e 12.5 kilometrave do të tenderohet me gjasë fillim vitin që vjen, e pritet të përfundoj në vitin 2023. /ABC News Albania 24/7

schedule16:13 / 19/09/2019