Basha: Ramën e bojkotuan edhe socialistët

schedule21:00 - 30 Qershor, 2019

schedule 21:00 - 30 Qershor, 2019

Kryedemokrati Lulzim Basha doli në një konferencë për mediat pas përfundimit të procesit të votimit ku deklaroi se kryeministrin Rama e bojkotuan edhe socialistët këtë të diel.

Sipas tij zgjedhjet u karakterizuan nga manipulime masive.

“Sot shqiptarë braktisën në masë maskaradën e votimit një partiak të Edi Ramës. 85 për qind e votuesve të regjistruar refuzuan votimet e paligjshme moniste. Edi Ramën sot e bojkotuan edhe socialistët, pasi për të sot votuan më pak se në vitin 2015 dhe 2017. Votimi i sotëm njëpartiak dhe nën kontroll të plotë njëpartiak ishte një ngjarje që nuk ndodhte askund në Europë, që nga koha e komunizmit.

Organizata e Rilindjes sot kandidonte vetë, votonte vetë, numëronte vetë dhe çertifikonte vetë. Kjo është parodi tragjike e demokracisë, kushtetutës dhe shtetit të së drejtës. Akoma më tragjik është fakti që edhe pse votimet ishin në çdo element të tyrin, njësoj sikur të ishin votime të brendshme të Partisë Socialiste, ato u karakterizuan nga manipulime masive, përfshi rezultate të paracaktuara, blerje votash, kërcënim për të marrë pjesë, përdorim të burimeve publike dhe administratës shtetërore, votime të shumëfishta nga i njëjti person mbushje kutish dhe shkelje të tjera të rënda”, tha Basha.

Ndër të tjera, kreu i demokratëve tha se punonjësit e sektorit publik u detyruan të votonin.

“Në të vërtetë, thuajse e gjithë vota e sotme është vota e sektorit publik, e rrogëtarëve të shtetit, e marrë nën kërcënim dhe dhunim të vullnetit të lirë të punonjësve dhe familjarëve të tyre. Numri real tregon asgjë më shumë sesa rrogëtarët e shtetit nën terror, të detyruar, njësoj siç e tregojnë përgjimet e BILD-it të dalin bashkë me familjarët që të mos e humbasin bukën e gojës. Atyre u jap fjalën se ne do të çlirohemi shumë shpejt nga ky ankth, nga ky krim ndaj jush dhe fëmijëve tuaj. Njësoj si të gjithë qytetarët, Ju do të jetoni me dinjitet dhe do t’u shërbeni me dinjitet vetëm qytetarëve dhe ligjit dhe jo pushtetit të radhës”, tha Basha./abcnews.al