Ballkan në “ABC”/ Borxhet e Serbisë ndaj Kosovës

schedule20:11 - 6 Janar, 2021

schedule 20:11 - 6 Janar, 2021

Nga Linda Karadaku

99 pronat e ndërmarrjeve shoqërore të Kosovës gjenden në Serbi, por Kosova nuk ka akses në to. Përveç pronave në Serbi, Kosova ka edhe 64 asete të tjera në vendet e ish-Jugosllavisë. 35 prona janë në Republikën e Malit të Zi, ku ka pasur transformim dhe ndërrim të titullarit juridik të pronës në mënyra të kundërligjshme, sic është rasti I pronës së ndërmarrjes shoqërore “Rekreaturs Prishtina” e zëvendësuar me “Rekreaturs Budva”. Shumica e këtyre pronave janë jashtë kontrollit faktit të Kosovës, një pjesë e vogël e tyre është ne emër të ndërmarrjeve shoqërore në regjistrat pronësore, ndërsa për një kategori të caktuar, po ndiqen procedurat gjyqësore në gjykata dhe organet administrative.

Në Bosnjë-Hercegovinë, Kosova ka angazhuar një avokat me autorizime specifike për tri asete të ndërmarrjeve shoqërore. Përshembull në qytetin Zenica të Bosnjë Hercegovinës, gjendet një aset i ndërmarrjes shoqërore “Jatex” në shfrytëzim, por shumica janë jashtë kontrollit administrativ të Kosovës.  Në Maqedoninë e Veriut është autorizuar një ofrues shërbimesh për identifikim dhe sigurimin e dokumentacionit administrativ dhe pronësor të aseteve të ndërmarrjeve shoqërore të Kosovës.

Në Kroaci gjenden pesë prona të Kosovës, por nuk ka veprim specifik për këto prona. Në Slloveni gjendet një pronë, por nuk ka informacione për statusin e kësaj prone. Procesi i privatizimit në Kosovë filloi para 17 vjetësh nga ish-Agjencia Kosovare e Mirëbesimit, që u pasua më vonë nga Agjencia Kosovare e Privatizimit. Deri tani nuk është privatizuar asnjë ndërmarrje jashtë territorit të Kosovës, por zyrtarët e Kosovës janë angazhuar në bisedime me shtetet fqinje. Janë krijuar gjithashtu grupe punuese për të evidentuar asetet e mbetura dhe për të gjetur zgjidhje, për t’I kthyer ato në shtetin e Kosovës.

Në lidhje me 99 pronat e ndërmarrjeve shoqërore të Kosovës që gjenden në Serbi, Kosova ka arritur të lokalizojë vetëm vendndodhjen e tyre. Por nuk ka informacione për gjendjen e tyre apo nëse këto prona shfrytëzohen. Agjencia Kosovare e Privatizimit ka de jure autoritet administrativ edhe për pronat jashtë Kosovës, por de facto nuk ka kontroll dhe nuk I administron ato. Cështja e pronave të Kosovës që gjenden në Serbi do të jetë pjesë e bisedimeve midis Kosovës dhe Serbisë në në Bruksel, ndërkohë që Serbia gjithashtu pretendon se ka prona në territorin e Kosovës. Zyrtarët serbë thonë se Beogradi mund të insistojë për ndërmarrjet e mëdha, minierat, fabrikat, në të cilat Republika e Serbisë ka investuar, ose përmes kredive të cilat i ka kthyer apo është duke i kthyer ende në emër të Kosovës.

Kosova nuk ka krijuar ende ndonjë komision apo grup të veçantë ekspertësh për këtë cështje. Për më tepër, Serbia ka përvetësuar prona të Kosovës që gjenden në Serbi dhe madje edhe I ka shitur disa prej tyre, sic është rasti I reparteve të ndërmarrjes “Jatex”. Ndërmarrja shoqërore “Jatex” nga Gjakova, ka pasur 31 objekte në republikat e Ish-Jugosllavisë dhe shumica prej tyre, 24 janë në territorin e Serbisë.

Një nga problemet juridike është se Kosova është përjashtuar nga procesi i suksesionit të ish-Jugosllavisë dhe tani duhet që ky process të ndodhë midis Kosovës dhe Serbisë. Po kështu, dokumentet kadastrale të regjistruara në periudhën 1983-1999 u morën nga autoritetet serbe, së bashku me shumë dokumente të tjera zyrtare, kur forcat e Beogradit u larguan nga Kosova në fund të luftës në korrik 1999. Kështu që, Kosovës i mungonte një sasi të konsiderueshme informacionesh kadastrale. Agjencia Kosovare e Krahasimit dhe Verifikimit të Pronës, u krijua si rezultat i Marrëveshjes për Kthimin e Regjistrave Kadastralë, arritur midis Kosovës dhe Serbisë në bisedimet e ndërmjetësuara nga BE-ja në Bruksel në 2011.

Sipas marrëveshjes, duhet të ktheheshin në Kosovë nga Serbia më shumë se 4.6 milionë kopje të dokumenteve kadastrale të marra nga Beogradi në vitin 1999. Problemet me pronat në Kosovë bëhen edhe më të ndjeshme, po të kihet parasysh se pas heqjes së autonomisë së Kosovës nga Beogradi në vitin 1989, transaksionet pronësore  midis dhe me shqiptarët e Kosovës u bënë gojarisht dhe nuk janë regjistruar deri në vitin 1999. Sipas një analize të USAID-it, rreth 60 për qind e pronave në Kosovë nuk janë regjistruar zyrtarisht nga pronarët e tyre legjitimë. Ndërkohë, në takimin në nivel ekspertësh të Kosovës dhe Serbisë të mbajtur në shtator të vitit të kaluar në Bruksel, është diskutuar për “pretendimet e përbashkëta financiare dhe pronësore”.

Disa prej ndërmarrjeve për të cilat pritet të ketë betejë të ashpër midis dy palëve janë kompani shumë të mëdha me burime të jashtëzakonshme natyrore, sic janë kompleksi metalurgjik “Trepça”, Korporata Energjetike e Kosovës, “Agro-Kosova”, Eximkos”-i por edhe një numër i madh i subjekteve të atëhershme ekonomike, që kanë qenë të shtrira me prona jashtë territorit të Kosovës. Gjiganti industrial “Trepça” ka pasur një fabrikë në Vojvodinë, Banka e Kosovës, e njohur me emrin Bankos, po ashtu ka pasur filialet e saj në Beograd dhe Ulqin. Në Mal të Zi, Kosova ka pasur edhe qendër pushimi për punëtorë e fëmijë. Pjesa më e madhe  e këtyre ndërmarrjeve ose nuk ekzistojnë më ose janë bërë pronë e dikujt tjetër.

Cështjes së pronave i bashkëngjiten një numër cështjesh të tjera midis Kosovës dhe Serbisë sic është çështja e borxheve dhe detyrimet e Serbisë për dëmet e shkaktuara në Kosovë vitet ’80, shkatërrimin e industrisë, dëmshpërblimet e luftës, pagat e humbura, fondet pensionale, llogaritë bankare të qytetarëve të Kosovës në bankat në Serbi. Serbia vazhdon të pretendojë se është është pronare e borxheve dhe aseteve të Kosovës sepse nuk njeh pavarësinë e shtetit fqinjë. Megjithatë ka modele që mund të përdoren për ti zgjidhur këto cështje, përfshi kthimin e aseteve të Kosovës që janë jashtë territorit të saj, të trashëguara nga ish- Jugosllavia.

Shtetet e tjera të ish-Jugosllavisë, Sllovenia, Kroacia, Maqedonia dhe Mali i Zi kanë gjetur zgjidhje bazuar në ligjet ndërkombëtare dhe ligjet e vetë Serbisë. Në vitin 2017, qeveria e Kosovës vendosi që të gjitha pronat e patundshme të regjistruara në emër të RSFJ-së, Republikës së Jugosllavisë, Serbisë dhe Krahinës Autonome të Kosovës, ta kalojnë në pronësi të Republikës së Kosovës. Sipas vendimit në këtë pronësi përfshihen patundshmëritë shtetërore, administrative, ushtarake dhe të organizatave shoqëroro-politike. Vendimi i qeverisë së Kosovës për pronat e patundshme hasi në reagim të ashpër nga zyrtarët serbe dhe përfaqësuesit e serbëve të Kosovës të cilët e konsideruan atë të paligjshëm.

Por ministrja e drejtësisë në në qeverinë e Kosovës në atë kohë, Dhurata Hoxha, pati theksuar se me vendimin për kalimin në pronësi të Kosovës të pronave të paluajtshme të ish-Jugosllavisë, Serbisë dhe të Krahinës Autonome të Kosovës, qeveria e Kosovës ka vepruar njësoj si të gjitha ish-republikat e ish-Federatës jugosllave. “Për pronat në territorin e Republikës së Kosovës kemi pavarësi të plotë, kemi sovranitetin dhe nuk ka nevojë të bisedojmë me askënd tjetër. Është çështje që si shtet e vendosim vetë” tha Dhurata Hoxha.

Presidenti i Kosovës në atë kohë, Hashim Thaçi, pati deklaruar gjithashtu se Serbia nuk ka prona në Kosovë dhe se Beogradi nuk ka juridiksion në Republikën e Kosovës. “Serbia nuk ka prona në Kosovë. Prona publike është pronë e shtetit të Kosovës. Vendimi i qeverisë është i drejtë, ligjor, kushtetues dhe legal” tha Thaçi. Megjithatë, cështja e pronave ka mbërritur tashmë në Bruksel dhe palët do të luftojnë me argumente ligjore për të dëshmuar se kush ka të drejtë mbi to. Serbia thotë se vazhdon të paguajë miliona euro kredi për prona që gjenden në territorin e Kosovës.

Liqeni I Ujmanit është një prej tyre, me një rëndësi të jashtëzakonshme për ekonominë e Kosovës dhe qytetarët e saj. 800 mijë banorë të Kosovës furnizohen me ujë nga ky liqen ndërsa pothuaj gjysma e pjesës veriore të Kosovës furnizohet me rrymë nga hidrocentrali i Ujmanit. Pa këtë ujë nuk mund të funksionojnë as termocentralet e Obiliqit. Serbia kërkon të negociojë për Brezovicën, Parkun Kombëtar të Sharrit, Aeroportin, pronat e Elektro Ekonomisë së Serbisë, PTK-në, Ekonominë Pyjore të Serbisë dhe Hekurudhën, duke pretenduar se Prishtina, “me veprime të njëanshme, I ka konfiskuar që nga viti 2008, duke i shpallur pronë të Kosovës”.

Beogradi thotë se ka një argument të fortë në anën e vet, dokumentat për investimet në Kosovë, letrat, tapitë, librat për pronat që sipas Serbisë, vlejnë pothuaj tre miliardë euro. Por Serbia ka përballë në tavolinë argumentat e Kosovës për ekonominë e shkatërruar, fshatrat dhe qytetet e djegura, krimet e luftës dhe viktimat, investimet e ish-krahinës autonome në projekte madhore, fondin pensional, kursimet milionëshe të qytetarëve të Kosovës të rrëmbyera nga Serbia, dokumentacionin personal dhe tapitë e pronave familjare.

Paketa Ahtisaari mbi bazën e së cilës u shpall pavarësia e Kosovës ka trajtuar edhe çështjen e pronësisë së ndërmarrjeve publike dhe shoqërore që operojnë në territorin e Kosovës, të cilat edhe menaxhimin e kanë në Kosovë. Këto asete konsiderohen pronë e Kosovës.  Megjithatë, një numër cështjesh mbeten për tu zgjidhur midis Kosovës dhe Serbisë sic janë obligimet financiare, çështja e borxhit të jashtëm, pensioneve, reparacioneve të luftës, pretendimet pronësore dhe të tjera.

Ahmet Shala, ish-ministër i Financave, ka theksuar se Kosova si shtet ka treguar nivel të lartë serioziteti duke marrë përsipër të gjithë pjesën e saj të borxhit të jashtëm të ish-Jugosllavisë, të cilat janë aprovuar nga organet legjitime të Kosovës dhe nga të cilat kanë përfituar qytetarët e saj. Ai ka theksuar gjithashtu se të gjitha borxhet e marra nga Serbia në emër të Kosovës pas vitit 1989, përfshirë periudhën gjatë administrimit të UNMIK-ut, nuk janë detyrime të Kosovës dhe me Rregulloren nr. 1 të UNMIK-ut është pamundësuar marrja e borxheve në emër të Kosovës nga ana e Serbisë.

Po kështu, Kosova do të duhet të përcaktojë një metodologji të qartë të përllogaritjes së dëmeve të luftës. Sipas përllogaritjeve të tij, në një ndarje prej 25 kategorive të dëmeve, detyrimet e Serbisë janë rreth 250 miliardë dollarë, pa llogaritur dëmet industriale dhe ushtarake. Bekim Blakaj, drejtor i Fondit Humanitar për të Drejtat e Njeriut, ka theksuar se në marrëveshjen përfundimtare me Serbinë duhet të përfshihet edhe kompensimi për të vrarët e të zhdukurit, si edhe për personat e burgosur dhe për ata që kanë qenë objekt i trajtimeve çnjerëzore.

Në parim, viktimat kanë të drejtë të kompensohen për dëmet që iu janë shkaktuar gjatë konfliktit të armatosur. Marrëveshjet përfundimtare mes palëve janë mekanizmat më të mirë që të sigurohet mundësia që viktimat të kompensohen. Në të kundërtën, nëse kompensimet nuk përfshihen në marrëveshje, atëherë gjasat janë fare të vogla që viktimat do të kompensohen në mënyrë kuptimplote ndonjëherë” tha Bekim Blakaj./ db/Abcnews.al