Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, gjatë mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, deklaroi se kërkesa për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar lidhur me shoqërinë “KAYO” Sh.A. nuk përmbush kriteret kushtetuese dhe ligjore të parashikuara për ngritjen e një komisioni të tillë.
Sipas Ballës, nga pikëpamja përmbajtësore, kërkesa nuk individualizon një “çështje të veçantë”, siç kërkohet nga Kushtetuta, pasi objekti i hetimit është konceptuar në mënyrë tepër të gjerë dhe përfshin një sërë çështjesh të ndryshme, pa përcaktuar qartë faktet konkrete që duhet t’i nënshtrohen hetimit parlamentar.
Ai theksoi se në kërkesë nuk janë identifikuar veprime apo mosveprime konkrete të zyrtarëve publikë, aktet apo kontratat që pretendohet se janë të paligjshme, si dhe periudha kohore ku duhet të shtrihet hetimi. Sipas Ballës, objekti i propozuar synon kontrollin e përgjithshëm të veprimtarisë së shoqërisë dhe jo hetimin e një çështjeje të individualizuar me rëndësi të veçantë publike.
Balla argumentoi gjithashtu se tetë pikat e paraqitura në objektin e hetimit kanë natyrë heterogjene, duke përfshirë marrëdhënie kontraktuale, veprimtari prodhuese dhe tregtare në fushën ushtarake, fonde buxhetore, dyshime për trafik armësh dhe detyrime ndaj NATO-s. Sipas tij, një shtrirje e tillë nuk lejon përcaktimin e qartë të kufijve të hetimit dhe nuk përmbush standardin kushtetues për ekzistencën e një çështjeje të veçantë.
Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së theksoi se kërkesa nuk paraqet indicie konkrete dhe të mjaftueshme për paligjshmëri. Ai nënvizoi se vendimet e Këshillit të Ministrave, krijimi i shoqërive të përbashkëta nga “KAYO” Sh.A., raportimet mediatike apo audiopërgjimet e publikuara nuk përbëjnë në vetvete prova të mjaftueshme për të krijuar një dyshim të arsyeshëm për veprimtari të paligjshme.
Sipas Ballës, ngritja e një komisioni hetimor parlamentar nuk mund të bëhet për të mbledhur informacion me qëllim zbulimin e mundshëm të paligjshmërive, por duhet të mbështetet paraprakisht në të dhëna dhe indicie konkrete që justifikojnë kontrollin parlamentar.
Ai ngriti shqetësimin edhe për mundësinë e mbivendosjes së hetimit parlamentar me verifikimet e nisura nga Prokuroria e Posaçme lidhur me audiopërgjimet e publikuara në media. Sipas Ballës, një situatë e tillë mund të krijojë konflikt kompetencash dhe të cenojë parimin kushtetues të ndarjes së pushteteve.
Në përfundim, Balla u shpreh se, megjithëse kërkesa plotëson kriterin formal të numrit të deputetëve firmëtarë, ajo nuk përmbush kriteret përmbajtësore kushtetuese dhe ligjore për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar. Sipas tij, mungesa e individualizimit të një çështjeje të veçantë, objekti i gjerë dhe i paqartë, mungesa e indicieve konkrete për paligjshmëri dhe rreziku i ndërhyrjes në kompetencat e organeve të drejtësisë nuk krijojnë bazën e nevojshme për ushtrimin e kontrollit hetimor parlamentar në formën e kërkuar.

