Një tjetër protestë është zhvilluar të hënën pasdite në sheshin përpara Teatrit Kombëtar në Tiranë. Artistë, njerëz të artit por edhe përfaqësues të shoqërisë civile kanë kundërshtuar vendimin e qeverisë për prishjen e Teatrit Kombëtar.
Artistë, njerëz të artit por edhe dashamirës të tij u mblodhën pasditen e të hënës në ambientet para Teatrit Kombëtar për të shprehur kundërshtitë e tyre lidhur me vendimin e qeverisë për prishjen e godinës ekzistuese e ndërtimin e një teatri të ri me një seri kullash pranë tij.
Emra të njohur i kanë bërë thirrje qeverisë që të ofrojë mundësi të tjera për të përmirësuar kushtet e teatrit, pa e shkatërruar atë. Aktori i mirënjohur Robert Ndrenika thotë se shteti e ka për detyrë ta bëjë këtë gjë e jo privatët. Madje, ai kërkoi edhe ndërhyrjen e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, në këtë debat.
Robert Ndrenika: “Unë jam kundër PPP-ve. Shteti duhet ta ndërtojë teatrin, jo privati. Në këtë pikë duam edhe mendimin e Presidentit të Republikës për këtë çështje nëse duhet ta bëjë shteti teatrin apo jo? PPP po të ketë dëshirë le ta bëjë teatro private sa të dojë. Kjo godinë mund të qëndrojë dhe 70 vite të tjera pa vendosur edhe një gozhdë”.
Të njëjtin qëndrim për përgjegjësinë e shtetit kanë ndarë edhe folës të tjerë në këtë tubim. Krijuesi dhe pedagogu Elvis Hoxha tha se ky model shkatërrimi i artit ka ndodhur edhe në të kaluarën nga qeverisja vendore e qëndrore
Artistët deklaruan se do vazhdojnë të mblidhen në mbrojtje të teatrit kombëtar që e konsiderojnë pjesë të rëndësishme të edukimit kulturor të një populli./abcnews.al


