Armë, drogë dhe municion luftarak, 2 të arrestuar në Tiranë

schedule10:03 - 16 Tetor, 2022

schedule 10:03 - 16 Tetor, 2022

Ervis Xheli dhe Denis Aliu  janë arrestuar nga policia e Tiranës në kuadër të operacioneve “Zastava” dhe “Dealer 3”.

Gjatë operacionit policor të koduar “Zastava” vu në pranga Ervis Xheli, 31 vjeç, banues në Tiranë, i shpallur në kërkim për mashtrim.

Shërbimet e Policisë, në vendin e quajtur ish-Parku, kanë lokalizuar shtetasin Ervis Xheli, të cilit gjatë kontrollit fizik, iu gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak.

Pas verifikimeve të kryera, ka rezultuar se 31-vjeçari ishte i shpallur në kërkim pasi ka përvetësuar, shumën prej 5000 euro, nga një shtetas, me pretendimin se do t’i blinte një automjet.

Gjatë operacionit policor të koduar “Dealer 3”, u arrestua në flagrancë shtetasi Denis Aliu, 24 vjeç, banues në Tiranë.

Shërbimet e Policisë, në rrugën “Zef Jubani”, kanë lokalizuar shtetasin D. A., të cilit gjatë kontrollit fizik, iu gjet dhe sekuestrua, në cilësinë e provës materiale, sasi lënde e dyshuar narkotike, e ndarë në doza, gati për shitje.

Pas verifikimeve të kryera, ka rezultuar se ky shtetas, shpërndante lëndë narkotike cannabis sativa, në rrugën “Zef Jubani”.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale./Abcnews.al/