Ardi Veliu merr detyrën

schedule21:11 - 5 Shkurt, 2018

schedule 21:11 - 5 Shkurt, 2018

Një detyrë e re e pret. I shoqëruar nga ai që e ka propozuar, ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, nga kjo e hënë, Ardi Veliu është Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.

Angazhimin e ri thotë se e ka marrë me përgjegjësi, por edhe me shumë emocion, të cilin nuk mundi ta fshehë.

Ardi Veliu: “Kjo është një ditë shumë e veçantë për mua. Sot më është besuar detyra e rëndësishme e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
Çdo oficer policie e ëndërron këtë detyrë dhe nuk dua ta fsheh, e kam menduar dhe unë
Por sot, e shoh si sfidën e jetës sime, përgjegjësi ndaj qytetarëve dhe atyre që ma besuan këtë detyrë”.

Sipas Drejtorit të ri të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, uniformat blu kanë nevojë për një ritëm të ri, më dinamik për të përballuar sfidat.

Emërimi i Ardi Veliut u firmos këtë të hënë nga Kryeministri Edi Rama.

Ai më parë mbante postin e drejtorit të Policisë Tiranë.

Në një konkurs të zhvilluar pak ditë më parë për zëvendësuesit e ish-drejtuesit të këtij posti, Haki Çakos, Veliu doli i pari në listë, ku iu dha dhe grada “drejtues i parë” pasi mori pikët maksimale. Kujtojmë që posti mbeti vakant pas shkarkimit në fillim të muajit Janar të Haki Çakos nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Pas një periudhe prej më pak se 3 vjetësh në krye të uniformave blu, drejtues madhor, Haki Çako, u lirua nga detyra nga Këshilli i Ministrave me propozim të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

Ish-Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Drejtues Ardi Veliu, ka lindur në 2 Mars të vitit 1972 në Delvinë. Nga viti 1987 deri në vitin 1991, kreu shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej”, ndërsa nga viti 1991 deri në vitin 1993 ka vazhduar studimet në Akademinë Ushtarake “Skënderbej”, në Tiranë. Nga muaji Janar i 1994 deri në Qershor 1998 kryen studimet në Akademinë e Policisë në Ankara – Turqi.

Krahas këtyre studimeve, diplomohet edhe në Fakultetin e Manxhimit të Biznesit, Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, studime të cilat i kreu në vitet 2003 -2007 pa shkëputje nga puna. Eshtë diplomuar gjithashtu edhe në Bachelor Fakulteti Juridik.

KARRIERA PROFESIONALE
Komandant i “Postës së Policisë”, Memaliaj, Tepelenë (1998-1999)
Shefi i Policisë së Rendit, Vlorë (1993-2002)
Shefi i sektorit të “Policisë me Uniformë”, Drejtoria e Policisë, Vlorë (2002-2004)
Shefi i sektorit të Rendit, Drejtoria e Policisë, Vlorë (2004-2006)
Shefi i komisariatit të Policisë, Durrës (2013-2014)
Zëvendësdrejtor për Sigurinë, Drejtoria e Policisë, Tiranë (2014-2015)
Drejtor i Kolegjit të Policisë (2015 -2016)
Drejtor i Policisë Rrugore në Drejtorinë e Policisë së Shtetit (2016 –2017)
Nga data 28.04.2017 Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë.

/abcnews.al