Më 22 shtator 2025, Shtëpia e Bardhë doli me një njoftim zyrtar, ku shpalli Antifa-n një organizatë terroriste. Sipas njoftimit të administratës Trump, lëvizja sponsorizon dhunën politike të krahut të majtë dhe ishte frymëzuesja e disa prej akteve më të rënda të dhunës në SHBA, duke nënvizuar vrasjen e aktivistit të djathtë Charlie Kirk në mes të ditës, gjatë një tubimi në Universitetin e Utah-s. I akuzuari për vrasjen e Kirk, Tyler Robinson, është një djalë i ri me bindje të ekstremit të majtë.
Por Trump e ka etiketuar lëvizjen si organizatë terroriste që në vitin 2020. Në atë kohë, u zhvilluan protesta të dhunshme në 140 qytete amerikane, pas vdekjes së George Floyd, një burri afrikano-amerikan, nga një oficer policie në Minneapolis. Gjatë protestave të verës së vitit 2020 në SHBA, u arrestuan 14 mijë protestues dhe u regjistruan nga 1 deri në 2 miliardë dollarë dëme në prona dhe sigurime.
Prokurori i Përgjithshëm i asaj kohe, William Barr, raportoi se Antifa ishte e pranishme në këto protesta dhe i përshkroi taktikat e protestuesve të saj si forma të reja të luftës guerile urbane. Por rrënjët e Antifa-s janë edhe më të thella. Gjurmët e para datojnë që nga vitet 1920 në Evropë.
Antifa është një shkurtim i fjalës “antifashiste” dhe i referohet një rrjeti të decentralizuar individësh që kundërshtojnë fashizmin, racizmin dhe ideologji të tjera të ngjashme. Mbështetësit e saj frymëzohen nga filozofi të tilla si komunizmi dhe anarkizmi.
Pas Luftës së Parë Botërore, të majtët gjermanë dhe italianë punuan së bashku për të luftuar bandat fashiste në Evropë. Sipas raportit të Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS), grupimet Antifa mbështeten te ideja se fashizmi mbetet gjallë dhe duhet të kundërshtohet me forcë. Shumë prej tyre besojnë se “antifashizmi militant është një përgjigje e arsyeshme”.
Antifa nuk ka një komandë qendrore, nuk ka urdhërime të dokumentuara dhe nuk ka një strukturë të qartë organizative të komandës dhe kontrollit. Ajo paraqet një grupim ndërkombëtar mbështetësish me ideologji të shumëfishta. Shumica e mbështetësve të Antifa-s veprojnë në fshehtësi për të mbrojtur veten nga agjencitë e zbatimit të ligjit, ndërsa qeliza të saj ekzistojnë në të gjithë Amerikën e Veriut, Australi, Evropë dhe në mbarë botën.
Protestuesit organizohen në grupe, vishen me të zeza dhe mbulojnë fytyrat me maska, shalle, syze dhe aksesorë të improvizuar për të fshehur identitetin. Përdorin eksplozivë të bërë në shtëpi dhe lëndë piroteknike. Taktikat e tyre përfshijnë vandalizmin dhe dëmtimin e pronës publike dhe private. Ata organizohen duke përdorur rrjetet sociale, në këtë kohë të zhvillimit digjital, përmes llogarive në Instagram dhe shërbimeve të mesazheve të koduara, si Signal.
Potenciali për sulme nga individë të radikalizuar të Antifa-s rritet në mënyrë eksponenciale me polarizimin politik.
Në vitin 2021, të dhënat e CSIS-it dhe studimi i publikuar prej saj treguan një rritje të kohëve të fundit të aktivitetit të dhunshëm nga ekstremistët, anarkistët dhe ekstremistët e majtë të Antifa-s.


