Ambasadori i ri i SHBA, Eric Wendt, nis zyrtarisht misionin diplomatik në Shqipëri.
Këtë të shtunë, ambasadori Wendt, i shoqëruar nga një eskortë e madhe policie, i dorëzoi letrat kredenciale Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj.
Dhe puna filloi menjëherë. Ambasadori amerikan zhvilloi një takim informal 90-minutësh me kreun e shtetit në Pallatin e Brigadave.
Por kush është Eric Wendt?
I lindur në vitin 1964 në Kaliforni, Eric Wendt ka shërbyer prej vitit 1986 në ushtrinë e SHBA dhe, në 34 vite karrierë ushtarake, ka arritur deri në gradën e gjenerallejtënantit me 3 yje.
Ai ka shërbyer kryesisht në forcat speciale “Beretat e Gjelbra” dhe si komandant në disa misione ushtarake amerikane në mbarë botën, ndërsa fillimet si diplomat i ka nisur në vitin 2017 si koordinator i sigurisë së SHBA për Autoritetin Izraelito-Palestinez deri në vitin 2019.
Në vitin 2020, Presidenti Trump e nominoi Wendt për ambasador të SHBA në Katar, por nuk u miratua për shkak të ndryshimit të administratës.
Në prill të vitit 2026, Trump iu rikthye nominimit të Wendt, kësaj radhe për ambasador në Shqipëri.
Në maj, Wendt doli para Senatit amerikan duke shpallur 4 prioritetet e tij si kandidat për ambasador amerikan në Shqipëri.
Duke nisur nga mbështetja e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Wendt e konsideroi SPAK një prokurori të pavarur dhe apolitike, me një punë të shkëlqyer.
Tre prioritetet e tjera ishin fuqizimi ushtarak i Shqipërisë me rritjen e shpenzimeve në fushën e mbrojtjes deri në 5% të PBB-së deri në vitin 2035, diplomacia ekonomike dhe tregtare, si dhe mbështetja e faktorëve njerëzorë dhe stafit të ambasadës amerikane. Në gusht, Wendt mori miratimin e Senatit amerikan.
Prej qershorit të vitit 2023, me largimin e ambasadores së fundit, Yuri Kim, selia diplomatike amerikane në Tiranë, prej 3 vitesh, mbeti pa ambasador.
U drejtua përkohësisht nga e ngarkuara me punë e SHBA, Nancy Van Horn.
Eric Wendt do të jetë ambasadori i 11-të amerikan pas rënies së komunizmit dhe i 16-ti në historinë e shtetit shqiptar.
Por ardhja e tij tani mund të shënohet si fillimi i epokës “Trump 2” në Shqipëri.
Dhe kjo epokë nisi me një mirëseardhje të ftohtë nga i paftuari i parë.
“Pyetje: Doktor, të ka ftuar ambasada për prezantimin e ambasadorit më 2 tetor?
Berisha: I uroj mirëseardhjen ambasadorit, por s’kam dijeni për ceremoninë.”/abcnews.al

