Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde deklaroi se të gjitha marrëveshjet mes Kosovës e Serbisë duhet të zbatohen, duke u pajtuar plotësisht me kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin, i cili të dielën ka thënë se pa vonesa do të zbatohen marrëveshjet mes dy vendeve.
Kurti tha të dielën se për marrëveshjen e fundit me Serbinë u negociua 2 vjet, duke kërkuar që ajo të zbatohet plotësisht dhe pa vonesë.
“Ne kemi kaluar 2 vitet e fundit në Bruksel duke negociuar një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme mes Kosovës dhe Serbisë. Më 18 mars në Ohër, përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell njoftoi zyrtarisht marrëveshjen. Ajo që është rënë dakord duhet të zbatohet plotësisht. Asnjë zbatim i pjesshëm; pa vonesa”, ka shkruar Kurti në Twitter.
Në mbrëmje, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, tha se pajtohet plotësisht me atë që tha Kurti.
“Plotësisht dakord – zbatimi i plotë i të gjitha pikave të marrëveshjes nga Kosova dhe Serbia është nevoja e kohës!”, ka shkruar Rohde.


