Akuzat e PD-së për tenderin, reagon Ministria e Brendshme

schedule09:15 - 2 Gusht, 2019

schedule 09:15 - 2 Gusht, 2019

Ministria e Brendshme ka reaguar ndaj akuzave të Partisë Demokratike për tenderin e uniformave të Policisë së Shtetit.

Sipas Ministrisë, pretendimet e PD janë të pavërteta, duke sqaruar se “Procedura e kufizuar” është një prej llojeve të procedurave të parashikuara nga ligji për prokurimin publik, përmes së cilës çdo operator ekonomik mund të kërkojë të marrë pjesë në fazën e parë që është edhe parakualifikimi, por vetëm operatorët ekonomikë të përzgjedhur në fazën e parë, mund të dorëzojnë oferta teknike dhe ekonomike.

Gjithashtu në reagim, Ministria e Brendshme sqaron se afati kohor në dispozicion të operatorëve ekonomik për paraqitjen e kërkesave për pjesëmarrje në Fazën e parë, i përcaktuar në dokumentet e tenderit dhe njoftimin e kontratës është 25 ditë, nga 20 ditë që është afati minimal ligjor.

Ministria deklaron se afati minimal i përcaktuar në ligj, për dorëzimin e ofertave në fazën e dytë është 20 ditë, por duke patur parasysh kompleksitetin dhe rëndësinë e procesit të përgatitjes së ofertës teknike dhe ekonomike, ku përfshihen edhe kampionet/mostrat e uniformës dhe dokumente të tjerë teknikë, afati që do të lihet në dispozicion do të jetë më se i mjaftueshëm dhe i arsyeshëm për përgatitjen e ofertave nga të gjithë operatorët e kualifikuar./abcnews.al