Aksident tragjik në Tiranë

schedule09:22 - 16 June, 2019

schedule09:22 - 16 June, 2019

Një aksident tragjik ka ndodhur në orët e para të ditës së sotme, kur familja Biba nga Mirdita, ka humbur 3 pjesëtarë të saj. Viktimat janë babai, nëna dhe vajza e tyre, ndërsa ka mbetur e plagosur vajza tjetër e çiftit si dhe i fejuari i saj. Shkak i aksidentit dyshohet të jetë bërë shpejtësia 150-170 kilometra në orë, më të cilën po e ngiste makinën dhëndri i familjes.

Një gëzimi familjar ka rezultuar fatal për tre pjesëtarët e familjes Bibaj me orgjinë nga Mirdita e banues në Tiranë. Ditëlindja e 22-të e Floridës rezultoi edhe e fundit për të. Bashkë me babain e saj, 62-vjeçar Bardhok Bibaj humbi jetën edhe e ëma Valentina 54-vjeçe.

Në drejtim të automjetit BMW X5 ishte Arlintin Alia, i cili është i fejuari i Xhuljana Bibaj, të dy këtë ndodhen në gjendje të rëndë në spitalin e Traumës.

Të pestë personat ktheheshin nga Elbasani ku kishin darkuar më herët 22-vjetorin e lindjes së Floridës, ndërsa aksidenti fatal ndodhi në orët e para të mëngjesit të së dielës ne rrethrrotullimin e një qendre tregtare në zonën e Saukut.

Në pamundësi për të frenuar drejtuesi Alia, ka përshkruar mespërmes rrethin, ku gjurmët janë evidente.  Përplasjet me bordurën nga njëra anë në tjetrën ka vijuar edhe më tej.

Aq e fortë ishte përplasja sa pjesë të makinës të copëtuar u gjetën rreth 200 metra larg vendit nga ku nisi aksidenti.

Sipas ekspertëve të Policisë Rrugore, dyshohet se drejtuesi i mjetit, Arlintin Alia, 32 vjeç nga Puka, ka qenë me shpejtësi 150-170 km/h, ku në rrethrrotullim shpejtësia e lejuar e lëvizjet është deri në 40 km/h.

Ende nuk është përcaktuar nëse Alia ka qenë në gjendje të dehur në momentin e përplasjes apo ngjarja tragjike mund të ketë ndodhur për shkak të përgjumjes ose humbjes së kontrollit nga 32-vjeçari./abcnews.al